Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për kanosje të dy zyrtarëve policor

Foto, Gjykata Podujeve, 8
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Korrik 29, 2020

Podujevë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, të mërkurën, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit për kanosje të zyrtarëve policor, Fidaim Zeqiri.

Kjo seancë ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit të çështjes, Gazmend Bahtiri, nga raporti i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) rezulton se i akuzuari Zeqiri ka udhëtuar jashtë shtetit.

“Seanca e sotme shtyhet në kohë të pacaktuar për shkak të pandemisë Covid-19. Për seancën e ardhshme prokurori i shtetit do të njoftohet me ftesë të rregullt, ndërsa për të akuzuarin do të lëshohet urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim ftese”, deklaroi gjykatësi Bahtiri.

Ndryshe, prezent në sallë të gjykimit ishte prokurori Rexhep Maqedonci.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 29 shtatorit 2015, Fidaim Zeqiri akuzohet se me 18 mars 2013, rreth orës 19:40, në stacionin policor në Podujevë, i ka kanosur zyrtarët policor, tani të dëmtuarit Qamil Musliu dhe Afrim Asllani, në atë mënyrë që derisa të njëjtit e kishin arrestuar të pandehurin për shkak të mosbindjes së urdhërim të policisë, në momentin kur e kanë dërguar në stacion policor, fillimisht i ka fyer të dëmtuarit e pastaj i ka kanosur me fjalët kërcënuese “juve policëve të Mitrovicës kam me ju vra me revole, se kam me vete se krejt plumbat i kisha shkrep në juve”, me ç’rast tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja”, nga neni 185, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi