SHTYHET GJYKIMI NDAJ SAMET IMISHTIT I AKUZUAR PËR TERORRIZËM

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Është shtyrë seanca ndaj Samet Imishtit i akuzuar për veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” për shkak të ndërrimit të prokurorit në këtë lëndë dhe mungesës së kohës për tu përgatitur.P

Prokurori nga Prokuroria Speciale Haki Gecaj, kërkoi që seanca të shtyhet për 12 prill 2016 pasi që prokurori i kaluar i çështjes Suad Kuraja është pensionuar ndërsa ai deklaroi se këtë lëndë e ka pranuar të martën pasdite dhe nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i lexuar dhe studijuar shkresat e lëndës.

Ndërkaq për një gjë të tillë nuk u pajtua mbrojtësi i të akuzuarit Samet Imisht, avokati Nikë Shala, pasi që ai deklaroi se kjo seancë duhet medeomos të mbahet ose më së largu të premten, më 1 prill sepse gjendja shëndetësore e të akuzuarit sipas tij është shumë e rëndë pasi që sipas ekspertizave të marra nga mjekë psikiatër si vendor ashtu edhe nga ata jashtë vendit, konkretisht nga Italia ku edhe i akuzuari ishte trajtuar më herët  ai është i diagnostifikuar më një sëmundje psikike me ngecje mentale – bipolare.  Avokati Shala deklaroi se duke pasur parasysh gjendjen e tillë të të akuzuarit duhet të mbizitrojë humanizmi mbi të gjitha dhe të mirret në konsideratë kjo gjendje e tij, dhe të mos zvarritet procedura më shumë pasi që siç deklaroi ai gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim i akuzuari Imishti njëherë edhe kishte tentuar të kryente vetëvrasje dhe për këtë nuk guxon të rrezikohet që një gjë e tillë të përsëritet.

Megjithatë trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Agim Maliqi mori vendim me të cilin shqyrtimi i së mërkurës ndaj Samet Imishtit të shtyhet për 12 prill 2016, edhe pse Maliqi deklaroi se këtë çështje ndaj Imishtit është duke e trajtuar në mënyrë më të veçantë marrë parasysh gjendjen e rëndë shëndetësore të tij, ku edhe tha se gjatë gjithë kohës është në kontakt me personelin e institucionit të paraburgimit ku edhe gjendet i akuzuari. Mirëpo vendimin për shtyrjen e seancës për edhe dy javë ai e mbështeti me arsyetimin se prokurori Haki Gecaj, siç deklaroi,prej 4 prillit deri më 11 prill do të udhëtoj jashtë vendit .

Procedura penale ndaj Samet Imishtit zhvillohet në bazë të aktakuzës PP.S 70/15 më  23 shkurt 2016 të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ku sipas pikës 1 të akuzës i pandehuri Samet Imishti akuzohet se në mënyrë publike me anë të shkrimeve, xhirimeve duke përfshirë dhe mos u kufizuar në rrjetin social, thërret ose nxitë të tjerët për kryerjen e veprave penale, kështu që i njejti nga tetori i vitit 2013 deri në nëntor 2015 në vazhdimësi në Facebook përmes profilit të tij personal ,ka bërë komente dhe publikime të hapura, propagandë, ka nxitur urrejtje ndaj koalicionit ndërkombëtar që luftojnë kundër ISIS dhe publikisht përkrah ideologjitë ekstreme dhe veprimet e kësaj organizate (ISIS) dhe shtetin islamik në Siri dhe Irakme qëllim që personat e ndryshëm ose grupe të personave t’u bashkohen formacioneve të armatosura të ISIS-it.

Ndërsa pika 2 e akuzës e ngarkon të pandehurin me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ku sipas kësaj pike i pandehuri prej kohës së pavërtetuar deri më 1 dhjetor 2015, ka mbajtur në pronësi armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armë të tilla, kështu që gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij në fshatin Rezhancë, policia ka gjetur dhe ka marrë pushkë të gjatë karabinë duke mbajtur atë armë pa lejen valide, si dhe një optik snajper dhe një fishek të kalibrit 7.92×57 mm.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë