Shtyhet gjykimi ndaj policëve që kërkonin dreka e darka nga qytetarët

Raporton: Adem KRASNIQI

Gjilan, 8 shkurt 2016 – Shqyrtimi gjyqësor ndaj dy policëve të akuzuar, Fadil Rashiti dhe Habibe Dushica sërish është shtyrë, këtë herë me kërkesë të avokatit mbrojtës Shemsedin Biraj. Ky i fundit, tha se në të njëjtën kohë, kishte të caktuar një seancë gjyqësore, të një rëndësie të veçantë në të cilën duhej gjithsesi të prezentonte dhe se nuk kishte gjetur zëvnedësim për këtë rast. Kërkesa e tij është aprovuar nga trupi gjykues, i cili edhe me pajtim të prokurorit Isuf Sadiku, ka vendosur të shtyjë seancën e radhës për 25 shkurt 2015, në orën 08.00.

Ndryshe, dy policët e akuzuar Fadil Rashiti dhe Habibe Dushica, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, akuzohen se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit. Prokuroria pretendon se të dy policët gjatë peridhës 2009 – 2010, në 6 raste, gjatë patrullimeve rutinore, në shumicën e rasteve kishin kërkuar nga qytetarët që t’u paguhen dreka e darka dhe në disa raste kishin marrë edhe të holla.

Sipas dëshmitarëve të rastit, të akuzuarit ishin marrë vesh që të ndalonin qytetarët – të dëmtuarit – dhe më pas gjenin ndonjë shkelje të rregullave të komunikacionit. Pas kësaj, ata kishin pasur rolet e ndara, ku njëri prej tyre gjithmonë kishte kërkuar që qytetarët të dënoheshin ashpër, ndërsa tjetri kishte luajtur rolin e policit të “mirë”, duke i’u ofruar qytetarëve – të dëmtuarve – që në shkëmbim të lirimit prej gjobave, të fitonin personalisht të holla, ndonjë darkë ose drekë. Në këto raste, të dy policët kanë shpërdoruar detyrën zyrtare, duke mos e kryer detyrën për të shqiptuar gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut, duke dëmtuar buxhetin e shtetit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë