Shtyhet gjykimi ndaj dy të akuzuarve për kontrabandim me migrantë

Gjakovee
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Qershor 26, 2020

Gjakovë – Mungesa e të dëmtuarve Gabriell Pepaj, Gasper Pepaj dhe Ukë Maloku, si dhe dëshmitarëve Kol Merturi dhe Domenik Pergega, ka bërë që të dështojë gjykimi ndaj të akuzuarve për kontrabandim me migrantë, Lan Selmanaj dhe Ramadan Fazlia.

Gjykatësi Shaqir Zika deklaroi se dëshmitarëve u janë dërguar ftesat, mirëpo për disa janë kthyer fletëkthesat, kurse për disa jo.

Ai shtoi se për seancën e radhës ftesat dëshmitarëve, përkatësisht të dëmtuarve që munguan në seancë, do t’iu dërgohen përmes Policisë së Kosovës.

Ndryshe, në seancë ishin prezent prokurori Ramiz Buzhala dhe dy të akuzuarit me mbrojtësit e tyre.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 28 korrik të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 16 shkurt 2015, Lan Selmanaj dhe Ramadan Fazlia po ngarkohen me veprën penale “Kontrabandim me migrantë” nga neni 170 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej janarit e deri në gusht 2014, në Gjakovë, të akuzuarit janë marrë me kontrabandim të migrantëve me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme.

Në aktin akuzues thuhet se, duke i ndarë rolet, i bëjnë të gjitha organizimet për rekrutimin, transferimin dhe transportimin e të dëmtuarve Fidan Mustafa, Gabriell dhe Gasper Pepaj, Albert Pepaj, Durim Graci, Gëzim Panxhaj, Lendon Adergjonaj dhe Ukë Maloku, në atë mënyrë që i akuzuari Lan pasi që i rekruton të dëmtuarit, i akuzuari Ramadan me automjetin “Mercedes”, të cilin e ka drejtuar Demë Sefaj, si dhe me automjetin e tipit “Audi 89” dhe disa herë me autobus të agjensioneve të ndryshme i kanë dërguar përmes Serbisë në Suboticë e nga Subotica në Hungari, nëpër shtete të ndryshme të evropiane si në Austri dhe Gjermani dhe nga të dëmtuarit kanë marrë shuma të ndryshme të parave dhe atë nga 1,600 euro deri në 2,000 euro. /BetimipërDrejtësi