SHTYHET GJYKIMI KUNDËR ENVER HASANIT

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Për shkak të mungesës së të akuzuarit Albert Rakipi është shtyrë seanca gjyqësore kundër ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, njëherësh ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani dhe Haki Veliu.  Lidhur me mungesën e Rakipit, Gjykata kishte pranuar paraprakisht një parashtresë pak para fillimit të seancës, parashtresë kjo e datuar nga 16 shkurti i këtij viti. Aty thuhej se Albert Rakipi ka pësuar përkeqësim të gjendjes shëndetësore, përkatësisht pengesë të funksionit kardiak të djathtë.

Sipas aktakuzës, Prokuroria pretendon se Enver Hasani në cilësinë e Rektorit të UP-së, Veliu në cilësi të Shefit të Zyrës së Prokurimit në UP dhe Ragipi në cilësi të Drejtorit të Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN) me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për këtë Institut, kishin falsifikuar kontratën origjinale lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe dhe kishin hartuar një kontratë të re, duke shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit nga kontrata origjinale.

Sipas kontratës origjinale, vlera e saj kishte qenë 500.000 euro, përkatësisht çmimi i pagesës për njësi 1000 fjalë 12.65 euro e stipuluar me nenin 17, ndërsa në kontratën e re sipas prokurorisë, kjo pjesë është ndryshuar në 1000 karaktere për 12.56 euro.

Lidhur me pretendimet e Prokurorisë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm, përgjatë seancës të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar. Seanca e radhës mbahet më 9 mars 2016.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë