Shtyhet gjykimi civil ku paditësja po kërkon kompensimin e pagave nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

FOTO E GJTHP, (2)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Janar 13, 2021

Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, të mërkurën, është shtyrë seanca e rigjykimit civil, ku paditësja Miradie Gashi, po kërkon kompensimin e pagave  nga e paditura Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës.

Në fillim të seancës së mërkurës, përfaqësuesja e paditëses, avokatja Venera Gashi, ka kërkuar nga gjykata që të ia jap një afat të caktuar kohor me qëllim që ta bëj precizimin e lartësisë së kërkesëpadisë.

‘‘Pasi që lënda është kthyer nga gjykata e apelit dhe gjykata e shkallës së parë ka për të detyrë që edhe një herë ta thërret ekspertin që të deklarohet edhe një herë lidhur me ekspertizën, kërkoj nga gjykata që të ma jap një afat kohor në mënyrë që të bëj precizimin e lartësisë së kërkesë padisë’’, ka thënë avokatja Gashi.

Avokatja Gashi gjithashtu deklaroi se e kundërshton aktvendimin e Gjykatës së Apelit, sepse sipas saj nuk i është mundësuar ankesa ndaj atij aktvendimi.

Ndërsa përfaqësuesja e të paditurës, Fitore Gajtani, deklaroi se mbetet pranë kundërshtimeve nga seancat e kaluara dhe kërkoi që padia të hudhet poshtë sepse sipas saj nuk padia është pa bazë ligjore.

Pas këtyre deklarimeve gjyqtari i çështjes Fatmir Baloku, morri aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin e përfaqësueses së paditëses, avokates Venera Gashi.

Sipas këtij aktvendimi paditësja është obliguar që ta bëj precizimin e lartësisë së padisë, ndërsa seancën e shtyri për kohë të pa caktuar.

Ndryshe lidhur me këtë çështje civile kjo gjykatë me 27 janar 2017, e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditëses Miradije Gashi, kurse e paditura Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, është obliguar  paditëses t’ia kompensojë të ardhurat personale dhe atë me kamatë ligjore, në shumë të përgjithshme prej 33,640.41 euro.

Ndërsa e ka refuzuar si të pabazuar, kërkesëpadinë e paditëses lidhur me shpenzimet e procedurës në shumë prej 2370,40 euro.

Ndaj këtij aktgjykimi, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe kjo e fundit me 26 tetor 2020 këtë ankesë e ka pranuar si të bazuar, dhe aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë e ka prishur, me ç’ rast lëndën e ka kthyet në rigjykim.

Sipas vlerësimit ë Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, se gjykata nuk ka dhënë arsye lidhur me faktet vendimtare dhe arsyet e dhëna janë fare të pakta dhe nuk janë kompatibile me atë që është e përmbajtur në shkresat e lëndës.

Gjithashtu sipas kësaj gjykata, eksperti financiar i caktuar nga gjykata e shkallës së parë, i ka tejkaluar vëllimin e detyrave të përcaktuar nga gjykata.

‘‘Sipas udhëzimeve të gjykatës së shkallës së dytë eksperti do të duhej të bënte llogarijtne e të ardhurave që paditësja i ka realizuar gjatë kësaj kohe të ndërprerjes së marrëdhënies së punës duke punuar tek punëdhënësit e tjerë. Në fund të llogaris lartësinë që mbetet për pagesë kur këtyre u minusohen të ardhurat që ka realizuar paditësja duke paditur gjatë kësaj kohe tek punëdhënës të tjerë. Kolegji vlerëson se ekspertit nuk i takon që të jap vlerësime ligjore se a është ligjore apo jo nëse duhet bërë një minusim i tillë, sepse vlerësimin ligjor e bënë gjykata dhe jo eksperti’’, thuhet në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës së Apelit.

Lidhur me këto gjetje, kjo gjykatë e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të bëj plotësimin e ekspertizës së ekspertit financiar, i cili do të llogarisë në mënyrë të saktë të ardhurat e parealizuara personale si pasojë e ndërprerjes së marrëdhënies së punës, dhe nga këto  të zbres të ardhurat e realizuara për kohën që ka punuar në vende të tjera të punës në kohën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës nga e paditura.

Apeli po ashtu e ka udhëzuar këtë gjykatë të nxjerrë edhe prova të tjera të nevojshme, të bëjë vërtetimin e plotë të gjendjes faktike, të aplikojë në mënyrë të drejtë, të drejtën materiale dhe kështu të nxjerrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje kontesimore.

Lidhur me këtë aktvendim, përfaqësuesja e paditëses, avokatja Venera Gashi, pranë Gjykatës Themelore në Pejë me 23 nëntor 2020, ka parashtruar kërkesë që aktvendimi i Apelit të kthehet në plotësim.

Sipas kësaj parashtrese, Apeli në aktvendimin e saj ka konstatuar se këtu paditësja nuk ka parashtruar përgjigje në ankesën e të paditurës, mirëpo sipas avokates Gashi një gjë e tillë nuk qëndron sepse sipas saj, ndaj këtë ankesë është përgjigjur me 23 shkurt 2017, dhe një parashtresë  të tillë Apeli fare nuk e ka administruar.

Tutje në këtë parashtresë thuhet se nëse Apeli do ta kishte administruar përgjigjen në ankesë, atëherë do ta kishte qartë prejardhjen  e të ardhurave personale të paditëses Miradije Gashi, të cilat janë kontestuar nga e paditura.

Sipas padisë fillestare të ngritur në Gjykatën Komunale në Pejë në vitin 2008, paditësja Miradije Gashi me pretendimet se tek e paditura Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës ka qenë e punësuar  në pozitën e zyrtares për çështje ekonomike –financiare, nga 5 prilli 2001e deri me 31 dhjetor 2017, kur e njëjta është larguar nga puna.

Andaj në bazë të kësaj padie, paditësja Gashi ka kërkuar ka kërkuar që këtu e paditura ta kthejë në marrëdhënie pune, të ia kompensojë pagat sipas të kishte qenë në marrëdhënie pune për periudhën 1 janar 2008  dhe atë me kamat ligjore të caktuar.

Ndërsa lidhur me këtë çështje tani po vazhdon procedura civile vetëm për kompensimin e pagave nga marrëdhënia e punës, ndërsa sipas avokates Gashi, kërkesa për kthimin në punë të paditëses, është aprovuar dhe është bërë e plotfuqishme. /BetimipërDrejtësi