Shtetasi palestinez pranon se vodhi një pallto dhe një palë syze nga një veturë në Prishtinë
Raporton: Ermira HOXHA
Prishtinë – Shtetasi palestinez M.A. ka pranuar fajësinë për vjedhjen e një palltoje dhe një palë syze në vlerë 60 euro nga një veturë në Prishtinë.
I akuzuari A. u deklarua fajtor edhe për vjedhjen e mbetur në tentativë të një veture “Pic-Up”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë deklarim i akuzuari A., e ka dhënë të hënën në seancën e shqyrtimit gjyqësorë, pas leximi të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu.
“Është e vërtetë ajo që e lexoj prokurori dhe ndihem fajtor për veprimet e mija,” tha i akuzuari A.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit e ka mbështetur mbrojtësja e tij avokatja, Flutra Halili e cila deklaroi se një pranim i tillë është bërë me vullnet, pa presion dhe pas konsultimit të mjaftueshëm më të njëjtin.
Edhe prokurori Kodraliu u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit A. duke thënë se një pranim i tillë është bërë në përputhje me nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale dhe se aktakuza është përpiluar konform dispozitave ligjore.
“Aktakuza është e përpiluar konform dispozitave ligjore dhe e mbështetur në prova të ligjshme të cilat pa dyshim vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri ka kryer dy veprat penale me të cilat akuzohet”, deklaroi prokurori Kodraliu.
E më pas, gjykatësi i rastit Ngadhnjim Arrni ka aprovuar pranimin e fajësinë.
Tutje, në fjalën përfundimtare prokurori Kodraliu ka kërkuar nga gjykata që i akuzuari A. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, pasi që sipas tij, nga provat personale dhe ato materiale i njëjti ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.
Kurse, në anën tjetër në fjalën përfundimtare avokatja Halili i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim sa më i butë dhe të ndërpritet masa e paraburgimit.
Shpallja e aktgjykimi për këtë çështje penalo juridike u caktua më 16 qershor 2022.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 19 maj të këtij viti i akuzuari A. ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 maj 2022, ka ngritur aktakuza me kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të akuzuarit M.A., të cilin e ngarkon më dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, më 18 maj 2022, në fshatin Shkabaj në Prishtinë i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë së huaj, ka vjedhur pasurinë e të dëmtuarit H.B. ashtu që i njëjti ka hyrë në veturën e të dëmtuarit të tipit “Golf VII” dhe nga aty ka vjedhur një pallto dhe një palë syze me ç’rast të dëmtuarit Borovci i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 60 euro.
Me këtë, A. akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje” e sanksionuar nga neni 313 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri A. ka tentuar të vjedh pasurinë e të dëmtuarit S.Sh. në atë mënyrë që i njëjti ka hyrë në veturën e të dëmtuarit të tipit “Pic-up” dhe pasi ka filluar të largohet nga aty pas disa metrash veturës i është bllokuar timoni dhe me atë rast është përplasur për një muri të një shtëpie.
E pas kësaj, aktakuza thotë se i pandehuri është larguar nga aty duke i shkaktuar dëm material të dëmtuarit Shala.
Për këto veprime, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje” e mbetur në tentativë nga neni 313 paragrafi 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.