Shtetasi i Shqipërisë i dënuar për shitje dhe shpërndarje të marihuanës kërkon nga Apeli zbutjen e dënimit

viber_image_2019-11-06_13-21-47
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Nëntor 6, 2019

 

Prishtinë – Një dënim më të butë nga Gjykata e Apelit e ka kërkuar, të mërkurën, i dënuari me dy vjet burg dhe njëmijë euro gjobë, pas pranimit të fajësisë për shitje dhe shpërndarje të marihuanës, Esat Matmuja.

Ai përmes mbrojtësit të tij, avokatit Haxhi Millaku, kërkoi nga kolegji i Apelit i kryesuar nga gjykatësi Xhevdet Abazi, një dënim më të butë, me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.

Lidhur me ankesën e të dënuarit, është deklaruar edhe Prokuroria e Apelit, e cila ka kërkuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar dhe të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë.

Gjatë seancës, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Haxhi Millaku kërkoi nga gjykata që t’i merr parasysh rrethanat posaçërisht lehtësuese dhe dënimin ndaj të mbrojturit të tij ta zbutë, pasi që edhe me një dënim më të butë do të arrihej qëllimi i dënimit.

Ndryshe, më 28 gusht 2019, Gjykata Themelore në Mitrovicë, kishte shpallur fajtor duke e dënuar me dy vjet burgim si dhe njëmijë euro gjobë, të akuzuarin për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge”, Esat Matmuja.

Ky aktgjykim, ishte shpallur pasi paraprakisht në seancën e shqyrtimit fillestar, i pandehuri Matmuja e kishte pranuar fajësinë.

Në këtë rast, të akuzuar janë edhe Demokrat Ferizi, Etmond Matmuja, Arbnor Beqiri dhe Kreshnik Ferizi, mirëpo që këta nuk e kanë pranuar fajësinë, andaj me propozimin e mbrojtësit të pandehurit Esat Matmuja, avokatit Haxhi Millaku, është veçuar procedura penale për të.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 qershor 2019, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Esat Matmuja, Demokrat Ferizi, Etmond Matmuja, Arbnor Beqiri dhe Kreshnik Ferizi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Esat Matmuja së bashku me të pandehurit Demokrat Ferizi, Etmond Matmuja, Arbnor Beqiri dhe Kreshnik Ferizi, më 23 nëntor 2018, duke vepruar në grup kishte transportuar substance narkotike – marihuanë në sasi prej 5.905 gramë, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes.

Siç thuhet në aktakuzë, në fshatin Broboniq, së pari kishin ndaluar veturën “Golf 6”, të cilën e kishte drejtuar Demokrat Ferizi, ku si pasagjer kishin qenë Etmond Matmuja dhe Arbnor Beqiri, pas kësaj policia kishte ndalur edhe veturën tjetër “Golf 5”, të cilën e kishte drejtuar Esat Matmuja, në të cilën policia gjejnë substancën narkotike.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Esat Matmuja, kishe marrë substancën narkotike në një puset afër pikës kufitare të Vërmicës, e sjellë nga Republika e Shqipërisë, ku i pandehuri Luan Kani, për të cilën ishte ndarë procedura penale, kishte kontaktuar përmes Facebook me Demokratin, ku ky i fundit i kishte kërkuar Luanit që t`i dërgojë një person me emrin Azem, mirëpo, që ky i kishte dërguar  Esat Matmujen.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Esat Matmuja, fillimisht kishte kontaktuar me Demokratin duke përdorur fjalët “për gjashtë dele hajde nesër”, pra me një komunikim të kamufluar duke aluduar në substance narkotike, me ç’ rast fillimisht më 22 nëntor 2018, ishin takuar në Prizren, me të pandehurin Arbnor dhe Demokrat, ku ishin dakorduar për transportin e substancës narkotike, e cila ishte sekuestruar nga policia, më 23 nëntor 2018.

Me këtë, Esat Matmuja, akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge”, nga neni 273 par 2 lidhur me nenin 281 para 1 nën par 1.1 dhe 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi