Shtatë raste të dhunës në familje të raportuara gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Qershor 28, 2021

Prishtinë – Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar të kenë ndodhur brenda 24 orëve të fundit në Republikën e Kosovës.

Një gjë e tillë është bërë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas policisë, këto raste kanë ndodhur në gjashtë komuna si, Fushë Kosovë, Viti, Gjakovë, Deçan, Mitrovicë dhe Vushtrrisë.

Në raport thuhet se në pesë raste është ushtruar dhunë ndaj grave, në një rast ndaj tre fëmijëve dhe në një tjetër ndaj prindit.

Tutje, në raportin policor bëhet e ditur se pesë nga të dyshuarit në këto raste janë dërguar në mbajtje, një është liruar në procedurë të rregullt, ndërkaq për një tjetër thuhet se vetëm është nën hetime. Kurse, thuhet se viktimat që kanë pasur nevojë kanë pranuar tretman mjekësor. /BetimipërDrejtësi