Shtatë paditëset kërkojnë mbi 10 mijë euro kompensim për shujta ditore dhe paga jubilare

gjykata 2 (5)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI GRAJҪEVCI

Prill 8, 2021

Prishtinë – Me pretendimin se sipas Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë iu takojnë pagat jubilare dhe shujtat ditore, shtatë paditëset në vitin 2019 e kanë paditur Komunë e Prishtinës, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit.

Lidhur me këtë rast, të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është përfunduar procedura civile, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht në këtë seancë, përfaqësuesi i paditësve, avokati Rezon Hoxha e ka precizuar kërkesëpadinë në aspektin subjektiv, ku sipas tij përveç paditësve Elizabetë Shkodra, Florije Gashi, Elife Retkoceri, Shqipe Grajqevci dhe Shqiponje Gashi, si paditëse ka përfshirë edhe Mihrije Spahiu dhe Zyhrije Lika.

Këtë precizim Hoxha e ka mbështetur në pretendimin se ka të bëjë me të drejta dhe detyrime të cilat lindin nga e njëjta bazë faktike dhe juridike.

Ky precizim i kërkesëpadisë në aspektin subjektiv, është kundërshtuar nga përfaqësuesja e të paditurës, Fitore Byqmeti, e cila ka thënë se me qenëse e kundërshtojnë bazë e kërkesëpadisë,  andej e kundërshtojnë edhe precizmin e kërkesëpadisë, ndërsa është lejuar nga gjykatësi Alajdin Tërshnjaku.

Pas kësaj, përfaqësuesi i paditëseve, Hoxha si provë shtesë gjykatës i ka dorëzuar edhe vërtetimi mbi përvojën e punës dhe prezencës në punë, si dhe listat e pagës së paditëseve, ku në bazë të këtyre provave sipas tij vërtetohet se paditëset janë në marrëdhënie pune tek e paditura, vërtetohet paga bazë e paditëseve, provoja e punës, si dhe ditët e prezencës në punë.

Tutje, gjatë kësaj seancë është bërë edhe administrimi i provave dhe është dhënë fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse.

Përfaqësuesi i paditëseve, avokati Hoxha në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se edhe më tutje qëndron pranë deklarimeve dhe parashtrimeve të bëra në formë të shkruar, duke konsideruar se me provat e administruara nga gjykata është vërtetuar themelësia e kërkesëpadisë.

Ai ka kërkuar nga gjykata që kërkesëpadinë e paditëseve ta aprovojë në tërësi si të bazuar dhe ta detyroi të paditurën që të njëjtave t’iu kompensoi shujtat ditore dhe shpërblimin jubilar sikurse në precizim të kërkesëpadisë, ndërsa nga kamata ligjore i njëjti ka hequr dorë.

Po ashtu, ai i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës, për të cilat ka thënë se janë të precizuara në parashtresën mbi precizimin e kërkesëpadisë.

Kurse përfaqësuesja e të paditurës, Byqmeti në fjalën e saj përfundimtare ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë deklarimeve të më hershme, si dhe ka kërkuar nga gjykata që padia dhe kërkesëpadia e paditësve të refuzohet në tërësi si e pa bazuar.

Pas dëgjimit të palëve ndërgjyqëse, gjykatësi Tërshnjaku ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar.

Ndryshe, sipas parashtresës mbi precizimin e lartësisë së kërkesëpadisë, shtatë paditëset në emër të shujtave ditore dhe pagave jubilare po kërkojnë shumën e përgjithshme prej 10,460.47 euro, ndërsa për shpenzimet e procedurës është kërkuar për padi shuma prej 624 euro, për përfaqësim në një seancë shumën prej 811 euro.

Sipas padisë të ushtruar më 12 dhjetor 2019, paditëset po kërkojnë nga Komuna e Prishtinës, kompensimin e pagave jubilare dhe shujtave ditore.

Sipas padisë, paditëset janë të punësuara pranë institucionit parashkollor “Lulevera”, sipas të cilës disa prej tyre kanë pozitën e edukatores, e disa prej tyre e kanë pozitën e motrës edukatore.

Në padi thuhet se, baza e kërkesëpadisë është e mbështetur në Kontratën Kolektive të Arsimit, respektivisht në nenin 35 paragrafi 7 dhe 8 i kësaj kontrate.

Mbi këtë bazë, paditëset po kërkojnë nga gjykata që padia dhe kërkesëpadia të aprovohet në tërësi si e bazuar, dhe të detyrohet e paditura t’iu kompensoj pagat jubilare dhe shujtat ditore. /BetimipërDrejtësi