SHTATË MUAJ BURG ME KUSHT DHE 600 EURO GJOBË PËR TË AKUZUARIN PËR ARMËMBAJTJE PA LEJE DHE LËNDIM TË LEHTË TRUPOR

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Isuf Hamdiu i cili akuzohet për dy vepra penale “armëmbajtje pa leje” dhe “lëndim i lehtë trupor”, u dënua me shtatë muaj burgim me kusht si dhe dënim me gjobë në shumë prej 600 eurove. Shpallja e aktgjykimit ndaj tani të dënuarit u bë nga Kryetari i trupit gjykues Afrim Shala  të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan.

I pandehuri Hamdiu pas pranimit të fajësisë për dy veprat penale që i ngarkoheshin  me aktakuzë, me aktgjykimin e shpallur, për veprën penale sipas pikës 1 të aktakuzës “armëmbajtje pa leje” u dënua me shtatë muaj burgim me kusht, ndërsa për veprën e dytë penale “lëndim i lehtë trupor” u dënua me gjobë në shumë prej 600 euro.

Gjykata po ashtu konfiskoi në mënyrë të përhershme armën.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, në pikën 1 të saj ngarkonte të pandehurin Isuf Hamdiun  me veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Pas raportimit të bashkëshortes së tij për dhunë në familje, në shtëpinë e tij është gjetur një armë dhe dhjetë fishekë dhe e njëjta është konfiskuar.

Pika 2 e aktakuzës ngarkonte të pandehurin me veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili për shkak të një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij, të cilën e kishte kapur për krahu dhe ia kishte mbyllur gojën dhe e kishte goditur me këmbë e cila nga lëndimet e marra ishte e detyruar të kërkonte ndihmë në Shtëpinë e Shëndetit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë