Shqyrtohet propozimi i masës së sigurisë, në rastin ku paditësi po kërkon ndalimin e punimeve dhe kthimin në e pronës në gjendje të mëparshme

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti– Në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, të enjten është mbajtur seanca e vlerësimit të masës së sigurisë në rastin ku propozuesit H.H., N.H., I.H., dhe A.H, po kërkojnë nga kundërshtari i masës S.R., rrënimin  e murit si dhe ndalimin e çfarëdo punimi derisa të vendoset çështja meritore.

Propozuesit i parë H.H., ka deklaruar se kundërshtari i masës është i regjistruar si pronar juridik  i ngastrave kontestuese dhe se ekziston rreziku i shitjes së tyre, me çka do të shkaktonte edhe më shumë telashe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, duhet të vendoset masa e sigurisë dhe të ndalen të gjitha punimet deri sa të vendoset me vendim të gjykatës se të kujt janë këto prona, kush ka përparësi për t’i blerë dhe a do të ketë mundësi për t’i blerë, pasi kanë dyshime se janë prona të Komunës së Vitisë dhe një pjesë e AKP-së.

Ai tutje shtoi se kundërshtarin e masë  së sigurisë  para ndërtimit të murit e ka paralajmëruar të mos e ndërtojë, pasi që ende për këtë çështje nuk ka përfunduar gjykimi dhe se ai nuk e ka përfillur.

Në fund, i propozoi gjykatës që në kadastër të fshihet prona e që është në emër të kundërshtarit të masës dhe të kthehet e njëjta në emër të pronarëve paraprak.

Ndërsa, propozuesi i dytë i masës A.H. tha se kërkon nga gjykata që të rrënohet rrethoja e murit e cila është e ndërtuar në ngastrat kontestuese nr.824-0, në sipërfaqe prej 762 m2,  nr.825-1,  në sipërfaqe prej 720 m2,  nr.816-7, në sipërfaqe 281 m2, dhe ngastra nr.817-2 në sipërfaqe 461 m2 në zonë kadastale Pozheran tek Blloku i Banesave, e të cilat në regjistrat kadastral evidentohen në emër të kundërpropozuesit S.R.

Në anën tjetër, kundërshtari i sigurimit S.R. deklaroi se mbetet pranë përgjigjes së dorëzuar me shkrim, duke shtuar se është në pronën e tij dhe nuk është duke i shkaktuar dëm askujt.

Ai shtoi se e ka rrethuar pronën e tij me rrethojë prej 70 metra, e cila i është dëmtuar nga propozuesi i masës H.H, dhe për këtë edhe e ka paraqitur rastin në polici.

Po ashtu, ai shtoi se në pronën e tij janë hudhur materiale të ngurta e mbeturina.

Në fund, deklaroi se sipas kopjes së planit bëhet fjalë vetëm për një ngastër edhe atë 2755-0, dhe se propozuesit e masës sipas kësaj certifikate  nuk janë as fqinjët e tij.

Andaj, S.R, i propozoi gjykatës që t’i administrojë provat dhe pas administrimit të të njëjtave ta refuzojë propozimin e palës propozuese.

Më pas, gjykatësi Arben Xheladini konstatoi se seanca dëgjimore lidhur me propozimin e masës së sigurisë ka përfunduar dhe se palët do të marrin një vendim të arsyetuar brenda afatit ligjor.

Ndryshe, me propozimin për lejimin e masës së sigurimit të 10 majit 2022, thuhet se propozuesit e masës së sigurimit H.H., A.H., N.H, dhe I.H. po kërkojnë nga gjykata që të ndalojë kundërshtarin  e sigurimit S.R. që të ndërtojë në pronën e cila është objekt i kontestit, pasi që i njëjti më 7 maj 2022 edhe përkundër kësaj ka vazhduar ndërtimin e murit në ngastrën kontestuese.

Ndërsa, propozuesit lidhur me çështjen kryesore po kërkojnë  nga gjykata që të aprovohet në tërësi masa e sigurimit për parcelën kontestuese deri sa të zgjidhet çështja meritore dhe t’i ndalohet kundërshtarit  ndërmarrja e çfarëdo veprimi mbi këtë parcelë. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë