Shqyrtohet caktimi i masës së sigurisë në rastin ku paditësi po kërkon nga i padituri mos ta punojë tokën e tij

Raporton: Blerim JAKUPI

Novobërdë – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Novobërdë, të martën është mbajtur seanca e vlerësimit të masës së sigurisë, në rastin ku propozuesi M.Z., po kërkon nga kundërshtari i kësaj mase, M.J., që të mos e punojë dhe mos të ndërmarrë asnjë veprim në pjesën e ngastrës kadastrale në sipërfaqe prej 8 mijë e 853 metra katror, në Zonën Kadastrale Koretishtë, në Komunën e Novobërdës, duke pretenduar se ai është pronar i saj.

Përfaqësuesi i propozuesit, avokati Basri Morina, ka deklaruar se sa i përket propozimit për dhënies e masës së sigurisë janë plotësuar kushtet sipas nenit 297 të LPK-së, pika “a”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kundërpropozuesit pa lejen dhe pëlqimin e propozuesit kanë ndërmarrë veprime bujqësore duke e mbjellur me kultura të ndryshme si grurë etj, prej vitit 2013 deri më 2017”, ka thënë avokati Morina.

Sipas tij, këtë më së miri e argumentojnë edhe faktet si rekomandimi i propozuesit M.Z. kundër propozuesve që ua tërheq vërejtjen në vitin 2014, që më mos punojnë në pronën e tij pasi e ka parë se ata po ia keqpërdorin besimin që ua kishte dhënë në vitin 2013.

“Mendimi dhe konstatimi i ekspertit gjeodet Ibush Jashari, në rastin e daljes në vendngjarje në vitin 2016, ka konstatuar se të paditurit M.J, D.J,, që të dy të vdekur si dhe M.J., në kufi me telin kanë mbjellur arën me grurë të cilën e  shfrytëzojnë tani dhe e njëjta ka sipërfaqe prej 0.59.73 ha, por shumë mirë e cekë se parcela kadastrale numër 1353-0 në sipërfaqen prej 0.88.53 ha e regjistruar në Zonën Kadastrale Koretishtë, e cila të DKGj në Novobërdë udhëhiqet nga M.Z, pra pronar i vetëm”, deklaroi avokati Morina.

Ndërkaq, përfaqësuesi i kundërpropozuesit M.J., avokati Fahredin Ymeri, ka thënë se sa i përket propozimit për masën e sigurisë mendon se kjo masë e cila është aprovuar nga Gjykata Themelore në Gjilan C.nr.61/2016 më 4 janar 2016, sipas tij në këtë kohë nuk ka mund të merret meqenëse në lëndën C.nr.48/2013 të 25 tetorit 2013, është masa e caktuar e përkohshme e sigurisë ndaj tani paditësit M.Z.

“E cila edhe pas prishjes së aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan C.nr.48/2013 të 15 shtatorit 2016, kur është konsideruar si e tërhequr padia ndërsa është shfuqizuar aktvendimi mbi masën e përkohshme të sigurisë, i cili aktvendim sipas tij është prishë nga ana e Gjykatës së Apelit AC.nr.42/2017 më 19 shtator 2019 dhe çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rivendosje”, deklaroi avokati Ymeri.

Kurse, përfaqësuesi i D.J., avokati Imli Dalipi, ka thënë se i padituri M.J. nuk mund të marrë veprime tani në tokën kontestuese, pasi që paditësi M.Z. e ka thurur pronën e tij me tel që në vitin 2017, dhe se është e pamundur që i padituri të punojë në atë pronë ku po kërkohet masa e sigurisë.

Lidhur me këtë, gjykatësi Gazmend Ajvazi ka marrë aktvendim me të cilin ka obliguar propozuesin M.Z., që në bazë të nenit 298 të paguajë garancinë për propozimin e masës së sigurisë në shumën prej 5 mijë euro.

Ndryshe, në fillim të seancës, avokati Ilmi Dalipi ka deklaruar se njëri nga të paditurit M.J., tashmë ka ndërruar jetë dhe se si trshëgimtar i vetëm ka mbetur i padituri tjetër M.J. Po ashtu, në këtë rast si i paditur ka qenë edhe tani i ndjeri D.J.

Më 30 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Gjilan, kishte marrë aktvendim me të cilin kishte anuluar aktvendimin e 4 janarit 2017, me të cilin ishte caktuar masa e përkohshme e propozuar nga paditësi M.Z., ku u ishte ndaluar të paditurve M.J., M.J. dhe D.J., që të mos punojnë dhe mos të ndërmarrin asnjë veprim në pjesën e ngastrës kadastrale numër 03053-0, në sipërfaqe prej 8 mijë e 853 metra katror, në Zonën Kadastrale Koretishtë, në Komunën e Novobërdës.

Në afatin ligjor, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar i autorizuari i paditësit, avokati Basri Morina, me ç’rast Apeli më 10 dhjetor 2021, kishte marrë aktvendim me të cilin kishte aprovuar si të bazuar këtë ankesë dhe kishte prishur aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Novobërdë, dhe këtë çështje e ka kthyer në rigjykim.

M.Z., më 24 dhjetor 2015, ka paditur M.J., M.J., dhe D.J., me arsyetimin se ai është pronar i ngastrës kadastrale nr.P-72403034-0, në vendin e quajtur “Raskrsje”, në sipërfaqe prej 8 mijë e 853 metra katror, sipas certifikatës së pronës me numër të lëndës 706/2015, Zona Kadastrale Koretishtë, në Komunën e Novobërdës.

Sipas padisë, pjesën e kësaj paluajtshmërie jashtë rrethojës, paditësi për vitin 2012 i ka lejuar të paditurit që ta shfrytëzojnë, por që pastaj i ka njoftuar që mos ta punojnë të njëjtën ose në të kundërtën të paguajnë qira për të. Por që, sipas padisë, të paditurit edhe pas kësaj pa lejen e paditësit këtë pjesë të paluajtshmërisë e kanë shfrytëzuar, respektivisht lëvruar dhe mbjellur.

Me kërkesëpadi, paditësi M.Z. po kërkon nga gjykata që ta detyrojë të paditurin M.J.  (kurse M.J. dhe D.J tashmë kanë ndërruar jetë), që atij t’ia dorëzojë edhe pjesën e ngastrës kadastrale P-72403034-03053-0, në vendin e quajtur “Raskrisje”, në sipëfaqe prej 8 mijë e 853 metra katror, si dhë të obligohet i padituri që paditësit t’ia kompensojë shpenzimet e procedurës kontestimore. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë