Shqiptohet vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli

Foto nga gjykimi, 26 janar 21, vjedhje pylli
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Janar 26, 2021

Podujevë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, është shpallë aktgjykimi dhe është shqiptuar vërejtje gjyqësore, ndaj të akuzuarit për “vjedhje pylli”, Bujar Jashari.

I njëjti, për shkak të gjendjes ekonomiko-sociale, është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të dëmtuarit, për të realizuar kërkesën pasurore-juridike, janë udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ky aktgjykim u shpallë, pasi në gjykimin e sotëm i akuzuari Jashari u deklarua fajtor për veprën penale që i ngarkohet me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“E pranoj fajësinë, jam mbajtësi i vetëm i familjes dhe nuk kam mundësi që t’i blej drunjtë për familjen, jetojmë në kushte shumë të rënda ekonomike, vëllaun e kam shumë të sëmurë me terapi, çdo ditë duhet me shku për terapi. Lus gjykatën  të më shqiptoj dënim sa më të lehtë sepse nuk kam mundësi që ta paguaj dënimin dhe të më liroj nga pagesa e shpenzimeve të procedurës”, deklaroi i akuzuari Jashari.

Këtë pranim fajësie nuk e kundërshtoi prokurori Remzush Latifi dhe më pas e aprovoi gjykatësi i çështjes Minir Hoti.

Prokurori Latifi, para leximit të aktakuzës, ka precizuar aktakuzën në aspektin e cilësimit juridik, ashtu që sipas tij në vend të paragrafit 3 pika 3.1, duhet të jetë vepra penale “vjedhje pylli” nga neni 349 par.1 të KPRK-së, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës sipas tij mbetet e pandryshuar, krejt kjo në favor të të akuzuarit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 15.11.2019, Bujar Jashari akuzohet se me datën 03.08.2019, rreth orës 11:00, në vendin e quajtur “Te gërdeqi”, regjioni pyjor i Bellasicës, Podujevë, në pyllin në pronësi publike me të cilin menaxhon Agjencia Pyjore e Kosovës, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, është zënë në flagrancë nga punëtori i autorizuar i sektorit të pylltarisë duke prerë drunjë, me gjatësi rreth 3.35 metra kub, me diametër 16 metra, me vëllim të përgjithshëm 3.35 metra kub.

Siç thotë më tej kjo aktakuzë, Agjencisë Pyjore të Kosovës në Prishtinë, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 452,20euro.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli” nga neni 349 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi