Shqiptohet gjobë me kusht ndaj të akuzuarit për vjedhje rryme

Gjykata Podujeve, 20
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Korrik 12, 2019

Podujevë – I akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Bajram Hyseni është dënuar me 200 euro gjobë, por të cilën nuk do ta paguajë, me kusht që brenda një viti nuk do të kryejë ndonjë vepër tjetër penale.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të premten nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Hyseni është liruar nga shpenzimet e procedurës për shkak se ai është pensionist.

Ndërsa, KEDS-i në cilësinë e të dëmtuarës, është udhëzuar në kontest civil.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë.

“E pranoj fajësinë për veprën penale e cila më vihet në barrë. Kërkoj falje dhe premtoj që një gjë të tillë nuk do të përsëris më, sepse edhe nuk banoj më në atë shtëpi”, ka thënë i akuzuari, duke kërkuar një dënim sa më të lehtë, pasi që ka thënë se s’ka mundësi për ta paguar.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Ali Ajdini dhe më pas e ka aprovuar gjykatësi Minir Hoti.

Prokurori Ajdini,  me qëllim të përdorimit të ligjit më të favorshëm për palën, ka rikualifikuar veprën penale, nga neni 320 i KPRK-së, në nenin 314 të Kodit të Ri Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 4 majit 2016, Bajram Hyseni akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 31.10.2014, në shtëpinë  e tij, pa autorizim të furnizuesit të autorizuar, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, përmes një kablloje është lidhur në rrjetin elektrik, me ç’rast KEDS-it i është shkaktuar dëm në vlerë prej 106.49 euro.

Me këtë, ai ngarkohej me veprën penale “vjedhje e shërbimeve” nga neni 314 i Kodit të Ri Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi