Shpallja e aktgjykimit ndaj Nuhi Ukës shtyhet për 20 tetor

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari ndërkombëtar, Arcadius Szedek, kanë vendosur që me 20 tetor 2016, të shpallin aktgjykimin në rastin e njohur të Nuhi Ukës. Nga seanca e kaluar ishte caktuar 7 tetori, si datë e shpalljes së verdiktit final, por një gjë e tillë është shtyrë.

Ne seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prizren, trupi gjykues, ka kërkuar nga prokuroria që të specifikojë kohën e marrjes së aktvendimit mbi fillimin dhe zgjerimin e hetimeve. Poashtu ka kërkuar që prokuroria të specifikojë veprimet kriminale që janë hetuar dhe kohën se kur ato janë kryer.

Trupi gjykues, ka gjetur se aktvendimet për fillimin e hetimeve, për disa të akuzuar, nuk përmban përshkrimin faktik të veprave penale dhe kohën kur janë kryer. Sipas tyre, nga ky sqarim do të arrihet të kuptohet nëse ka pasur parashkrim të ndjekjes penale për veprat penale që janë hetuar.

Kjo çështje është ngritur vazhdimisht nga mbrojtja, gjatë shqyrtimit gjyqësor, që sipas tyre është bërë hetime për veprime që janë parashkruar në momentin kur është ndërmarrë hetimi.

Në këtë seancë, Nuhi Uka, ka bërë një plotësim të fjalës përfundimtare të tij, ku ndër të tjera ka thënë se ai nuk ka mundur që në vitin 1986 të dijë që në vitin 1992 do të mundësohet me ligj, e drejta për ta blerë pronën në të cilën ki të drejtë në shfrytëzim të përhershëm.

Tutje ka shtuar se me asnjë provë nuk është vërtetuar pretendimi i prokurorisë se ai është ndërtues e as pronar i shtëpisë dhe se ka përvetësuar tokën shoqërore. Sipas tij, i ndjeri Muharrem Hashani ka ndërruar pronën e tij me Leposavën sipas ligjit, poashtu në vitin 1992, sipas ligjit, e ka blerë atë pronë.

Uka ka shprehur besimin në profesionalizmin e trupit gjykues dhe ka kërkuar që pas administrimit dhe analizimit të provave, të lirohet nga akuzat që i ngarkohen.

Kryetari i trupit gjykues, Arcadius Szedek, i ka dhënë afat prokurorisë që deri me 14 tetor 2016,  të përgjigjet në lidhje me çështjen e hetimeve, ndërsa seancën, në të cilën do të shqyrtohen përgjigjet, e ka caktuar me 18 tetor 2016, në ora 14:00.

Shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar me 20 tetor 2016, në ora 11:00.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale, ngarkon Nuhi Ukën dhe Fehmi Havollin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mashtrimit dhe krimit të organizuar. Ndërkaq, Sanije Muçolli tani me profesion avokate dhe ish-gjyqtare, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore.

Akuza përfshinë edhe Mirafete Hashani Bislimit, Kadrije Hashanit, Kimete Hashani Ukaj, Hilmije Miftarit dhe Ibadete Hashani Cakaj, të cilat akuzohen për veprën penale legalizimi i përmbajtjes së rremë.

Sipas aktakuzës, këta persona kanë qenë në një grup të organizuar kriminal, në krye të të cilit ka qenë Nuhi Uka, ish Kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë.

Prokurori i EULEX-it, Danillo Chicarelli, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se Nuhi Uka, që nga vitet e 80-ta ka filluar përgatitjet për të marrë pronën për të cilën akuzohet se e ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, Uka ka përdorur familjarët e gruas dhe ndikimin e tij në gjykatë dhe komunë për të arritur qëllimin e tij.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë