Shpallet i pafajshëm mjeku i Spitalit Regjonal të Gjilanit, Luan Mustafa, i akuzuar për marrje ryshfeti
Raporton : Syzana REXHEPI
Gjilan – Luan Mustafa mjek në Spitalin Regjional të Gjilanit i akuzuar për marrje të ryshfetit është shpallur i pafajshëm të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Në arsyetimin e aktgjykimit, gjyqtari Naser Maliqi tha se nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit, ndërsa i ka njoftuar palët se në afatin ligjor prej 15 ditësh kanë të drejtë të paraqesin ankesë me shkrim kundër këtij aktgjykimi.
Para shpalljes së aktgjykimit palët kanë dhënë fjalët përfundimtare.
Prokurori Isuf Sadiku në fjalën përfundimtare deklaroi se pas seancave gjyqësore, administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, është vërtetuar se i akuzuari me veprimet e tij ka kryer veprën penale si në aktakuzë. Prokurori Sadiku kërkoi nga trupi gjykues që gjatë marrjes së vendimit, të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënoi sipas ligjit. Gjithashtu kërkoi edhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Mbrojtësit e të akuzuarit Luan Mustafa, avokatët Isa Mustafa dhe Shemsedin Pira fjalën përfundimtare e dorëzuan në formë të shkruar. Avokati Shemsedin Pira tha se provat për simulimin e veprës penale janë shpallur të pa papranueshme me aktvendim të Gjykatës së Apelit, prandaj ka kërkuar aktgjykim lirues.
Ky shqyrtim gjyqësor u zhvillua në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ku Luan Mustafa akuzohet se më 28 dhjetor 2013, në Spitalin Regjional të Gjilanit si kirurg, ka pranuar dhuratë me qëllim të përfitimit për vete, ku nga i dëmtuari Muhamet Osmani kishte kërkuar 500 euro për kryerjen e operimit të nënës së tij. Policia në zyrën e tij në spital kishte bastisur, kishte gjetur 500 euro, të cilat i kishte konfiskuar dhe të njëjtin e kishin arrestuar.