Shpallet i pafajshëm ish-drejtori i Inspeksionit në Obiliq i akuzuar për keqpërdorim pozite

56990196_307665979901682_4624742658877685760_n
Author

Raporton: Leotrim Gashi

Prill 12, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, e ka liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-drejtorin e Inspeksionit në Komunën e Obiliqit, Avdi Mjeku.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Nushe Kuka – Mekaj, nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga pranimi i të njëjtit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 18 korrik 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Avdi Mjekut, me pretendimin se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Mjeku thuhet se në cilësi të drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Obiliqit duke shfrytëzuar detyrën e tij i kishte tejkaluar kompetencat e tij duke mos përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit.

Ai pretendohet se nga 1 janari 2014 e deri në muajin maj 2016 ka lejuar ndërtime të objekteve pa leje në zonën e cila ishte shpallur me vendim të Qeverisë si zonë e interesit të veçantë ekonomik “Fusha e Mihjes së Re” në Komunën e Obiliqit.

Prokuroria tutje akuzon Mjekun se nuk kishte vepruar sipas urdhëresave të inspektoratit qendror të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe nuk kishte kryer detyrën e tij për mbrojtjen e zonës së interesit të veçantë duke mos ndërmarrë masat ligjore për rrënimin dhe pengimin e ndërtimit të objekteve pa leje në atë zonë gjë që e ka penguar dhe rrezikuar shfrytëzimin e zonës me interes të veçantë ekonomik. /BetimipërDrejtësi