Shpallet i pafajshëm i akuzuari për tri raste të vjedhjeve të rënda në Fushë Kosovë

Arton Pervetica
Author

Raporton: Justina FRROKAJ

Janar 20, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, e ka liruar nga akuza për vjedhje të rëndë, të akuzuarin Arton Përvetica.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Alban Ajvazi, i cili tha se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer vepër penale, duke shtuar se atij menjëherë i ndërpritet masa e paraburgimit.

Gjykatësi Ajvazi, po ashtu, ka njoftuar se shpenzimet e procedurës bien në barrë të gjykatës dhe se pala e dëmtuar udhëzohet në kontest civil.

Ndërsa, fjalën përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Mentor Neziri dhe prokurori Zef Prendrecaj, e kanë dorëzuar në formë të shkruar.

Prokurori Prendrecaj, ka thënë se kërkon që të akuzuarit t’i vazhdohet masa e paraburgimit, me arsyetimin se i njëjti para se të ndalohej nga policia kishte tentuar të arratisej.

Sipas aktakuzës, më 19 prill 2019, në rrugën “Dardania”, në objektin “Model-Slovenia”, në Fushë Kosovë, i akuzuari Pervetica, së bashku me dy persona tjerë për momentin të panjohur, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm kanë përdorur forcën duke e dëmtuar cilindrin e derës hyrëse të banesës së të dëmtuarit Selver Brajshori, nga ku kanë depërtuar brenda në banesë, me ç’rast kanë arritur të vjedhin para në vlerë rreth 900 euro, si dhe stoli ari në vlerë prej 300 euro.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Pervetica, më 15 qershor 2019, në rrugën “Hysen Xhakolli” në objektin “Bellavista”, në Fushë Kosovë, në bashkëkryerje me dy persona të panjohur kanë përdorur forcën, duke e dëmtuar cilindrin e derës së banesës së të dëmtuarës Hanife Imeri, dhe kanë arritur të marrin para të gatshme në vlerë prej 400 euro.

Në aktakuzë thuhet se më 12 qershor 2019, Pervetica në bashkëkryerje me dy personat e panjohur, kanë arritur të hyjnë edhe në banesën e të dëmtuarit Armend Hajdari, në rrugën “Metush Krasniqi”, në Fushë Kosovë, dhe kanë arritur të vjedhin para të gatshme në vlerë rreth 2400 euro, si dhe stoli ari në vlerë rreth 3000 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet për veprën penale të vjedhjes së rëndë në bashkëkryerje, nga neni 315, paragrafi 1, pika 1.1 lidhur me nenin 31, të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi