Shpallet i pafajshëm i akuzuari për sulm ndaj punëtorit të KEDS-it

Viti
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Prill 12, 2021

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, të hënën, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, Hasan Zeneli.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Nexhat Aliu, me asnjë provë nuk është vërtetuar se i pandehuri është përgjegjës për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, gjykatësi Aliu bëri të ditur se shpenzimet e procedurës bien në barrë të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 19 maj 2015, ka ngritur aktakuzë ndaj Hasan Zenelit, me arsyetimin se i njëjti, më 20 prill 2015, rreth orës 09:00, në fshatin Shushë, e ka sulmuar personin zyrtar Hyzri Halabaku-punëtor i KEDS-it, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari me dy kolegët e tij, sipas urdhëresës që kanë pasur për të shkuar tek restoranti i të pandehurit për të bërë shkyçjen e rrymës, i dëmtuari Hyzri, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme nuk ka shkuar por ka qëndruar rreth 3 km larg restorantit dhe në momentin kur i pandehuri ka arritur me veturën e tij aty ku ka qenë i dëmtuari, ku në shenjë revolte e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin Hyzri, duke e goditur me grusht në fytyrë dhe rrëzuar për tokë.

Në aktakuzë thuhet se pastaj e merr edhe një shkop me të cilin e godet të njëjtin disa herë nëpër pjesë të ndryshme të trupit, ku pas goditjeve i dëmtuari arrin të ngritët në këmbë dhe ik në drejtim të fshatit Kabash, por i dyshuari vazhdon  ta ndjek të njëjtin me veturën e tij në drejtim të objektit të KEDS-it në Viti, ku edhe aty tenton ta sulmojë, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëmtime të lehta trupore sipas ekspertizës mjeko-ligjore, me reference të datës 30 prill 2015, të lëshuar nga ZYRA Shërbyese “Heni medica”, ¼ Gjilan.

Më këtë, Hasan Zeneli akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi