Shpallet i pafajshëm i akuzuari për grabitjen e vitit 2005 në Prishtinë

IMG-8824
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Nëntor 20, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, në mungesë të provave, e ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin për grabitje, Ylber Potera.

Potera akuzohej se së bashku me të akuzuarin Agron Olluri ndaj të cilit ishte veçuar procedura, në korrik 2005, me përdorimin e forcës ia kishin marrë të dëmtuarës Bellka Zakuti çantën dhe kishin ikur nga vendi i ngjarjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani, nuk është provuar se i akuzuari Potera ka kryer veprën penale të grabitjes.

Ndryshe, në seancën e së premtes është dhënë edhe fjala përfundimtare, ku prokurorja e rastit Bukurije Gjonbalaj ka propozuar që i akuzuari Potera të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Sipas Gjonbalajt, veçimi i procedurës për të akuzuarin Olluri nuk ishte i drejtë, për shkak se sipas saj, gjykata e kishte veçuar procedurën ndaj tij për shkak se nuk ishte gjetur adresa e saktë e vendbanimit, edhe pse sipas saj prokuroria e kishte kundërshtuar këtë veçim.

Ajo tha se gjykata nuk i kishte shtjerrë të gjitha mundësitë për të siguruar prezencën e të akuzuarit Olluri në gjykim dhe se nuk ka asnjë informacion se gjykata e kishte kërkuar adresën e të akuzuarit, ku sipas prokurores, rezulton se ndaj tij ishin duke u zhvilluar procedura penale për numër të madh të veprave penale.

I akuzuari Potera edhe në fjalën e tij përfundimtare është deklaruar i pafajshëm,  duke theksuar se pafajësinë e tij e kishin vërtetuar edhe deklarata e dëshmitarit Lulzim Zagragja, i cili kishte deklaruar se kryes i kësaj vepre penale nuk kishte qenë i akuzuari Potera.

“Betohem se nuk e kam kryer këtë vepër penale, mund ta vërtetoj pafajësinë time edhe me deklaratat e dëshmitarëve të cilët janë dëgjuar në këtë proces, të cilët nuk më kanë akuzuar, njëri prej tyre Lulzim Zagragjaj në deklaratat e tij më ka thënë se nuk ke qenë ti, nuk je personi që unë e kam kapur atë ditë, po sikur të ishte edhe i ndjeri Ymer Sagragjaj, jam i sigurt se të njëjtën deklaratë e kish dhënë si Lulzim Zagragjaj”, ka thënë i akuzuari Potera.

Sipas aktakuzës së ngritur me 27 korrik 2016, të akuzuarit Agron Olluri dhe Ylber Potera, me 7 korrik 2005, rreth orës 23:00, në Prishtinë, pasi e dëmtuara Bellka Zakuti kishte zbritur nga kombi busi, me përdorimin e forcës, njëri prej tyre duke e mbajtur për dore ndërsa tjetri me forcë ia kishte tërhequr çantën nga krahu dhe ia kishin marrë, e pastaj kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Olluri duke ikur kishte hy në një rrugë këmbësore, ishte takuar me dëshmitarët Lulzim dhe Imer Zagragjaj, të cilën e kishin ndalur, ia kishin marrë çantën të cilën i akuzuari e kishte lëshuar në tokë dhe e kishin lajmëruar policinë.

Policia në vendin e ngjarjes e kishte arrestuar të akuzuarin Olluri dhe ia kishte kthyer sendet të dëmtuarës, ndërsa i akuzuari Potera ishte larguar në drejtim të panjohur.

Për këto veprime, prokuroria dy të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “grabitje”. /BetimipërDrejtësi