Shpallet i pafajshëm i akuzuari për aksidentin e shkaktuar në 2019-ën
Raporton: Donjeta AJVAZI
Prishtinë – Pasi pranoi fajësinë në seancën fillestare të mbajtur të martën, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga dënimi të akuzuarin H.H se kishte shkaktuar aksident me veturë në Prishtinë.
Shpallja e aktgjykimit u bë të mërkurën nga gjykatësi i rastit Ngadhnjim Arrni, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.
I njëjti konstatoi se deri tek marrja e këtij vendimi erdhi si rezultat i faktit se nga aksidenti i shkaktuar kanë pësuar dëm vetëm familjarët e të akuzuarit.
Përndryshe i akuzuari kishte pranuar fajësinë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Menduhi Kastrati.
Sipas këtij aktgjykimi i akuzuari është obliguar t’i paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 20 euro dhe 40.88 euro për ekspertizën e komunikacionit.
Pala e dëmtuar është udhëzuar për kontest civil, mirëpo e njëjta nuk ka parashtruar kërkesë pasurore juridike.
Përndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në tetor të vitit 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari derisa po drejtonte automjetin e tij nga pakujdesia shkel rregullat e trafikut rrugor , ashtu që gjatë lëvizjes me automjet nuk e mbanë shiritin e vet të drejtimit të lëvizjes, ku me pjesën e përparmë të automjetit e godet automjetin që ishte duke u drejtuar djathtas.
Si pasojë e kësaj shkakton aksident trafiku , ku sipas ekspertizës mjeko-ligjore lëndime të rënda trupore pëson pasagjerja H.H dhe lëndime të lehta pëson Pasagjerja tjetër H.H si dhe vet i pandehuri H.H.
Më këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale ‘’ Rrezikim i trafikut rrugor’’ nga neni 370 par.8 lidhur me par.6 dhe par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.