Shpallet i pafajshëm Fejzulla Avdyli i akuzuar për korrupsion
Raporton : Syzana REXHEPI
Gjilan – Fejzulla Avdyli i akuzuar për veprën penale “ keqpërdorim i pozitës zyrtare” është shpallur i pafajshëm të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Trupi Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, i kryesuar nga gjykatësja Emine Salihu, tha se aktgjykimi lirues është marrë për shkak se nuk është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale me të cilat akuzohet.
Ky proces gjyqësor u zhvillua në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, sipas së cilës Fejzulla Avdyli akuzohet se gjatë periudhës kohore 2007-2008, na cilësinë e inkasantit në kompaninë “Higjena” ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”. Gjatë asaj periudhe, Avdyli ka keqpërdorur mjete financiare të cilat i kishte arkëtuar nga klientë të ndryshëm të kompanisë, ashtu që një pjesë të parave që i kishte arkëtuar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit e të dobisë pasurore, i kishte ndalur për veti. Me këtë veprim ai kishte dëmtuar kompaninë në fjalë në shumën prej 2.425.16 euro.