SHPALLET I PAFAJSHËM DOGANIERI ILJAZ KAPLLANI PËR AKUZËN E KEQPËRDORIMIT TË DETYRËS ZYRTARE

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Iljaz Kapllani është shpallur i pafajshëm nga akuza e prokurorisë, e cila pretendonte se  i njëjti duke qenë doganier kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, është shpallur aktgjykimi i trupit gjykues i kryesuar nga kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, e cila ka deklaruar se të akuzuarin nuk e kanë gjetur fajtor sepse gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Prokurori i rastit, Sefer Morina, gjatë tërë seancave të shqyrtimit gjyqësor, ka insistuar se i akuzuari nuk e ka doganuar mallin, të cilin mall, njësiti anti-kontrabandë, e kishin gjetur në Malishevë, për të cilin mall, pronari ka deklaruar se të akuzuarit ia kishte dhënë shumën prej 165 eurove, në emër të doganës.

Ndërsa i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, avokati Shaban Berisha, kanë kundërshtuar një akuzë të tillë, duke deklaruar se malli ka qenë i përdorur dhe se nuk është dashur të doganohej dhe se nuk është marrë asnjë pare në emër të doganës, për atë mall.

Më 17 qershor 2015, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Iljaz Kapllani, me të cilën e akuzonte atë se duke punuar si doganier kishte kërkuar para në emër të doganës, në shumën prej 165 euro, ndërsa nuk kishte lëshuar dokument për një gjë të tillë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë