Shpallet fajtore por lirohet nga dënimi, shkaktoi aksident ku e lëndoi djalin e saj

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti –E akuzuara A.K. është shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, për rrezikim të trafikut publik, mirëpo e njëjta është liruar nga dënimi.

Sipas aktgjykimit të shpallur të premten nga gjykatësja Blerina Jakupi Ramadani, lirimi i të akuzuarës nga dënimi është bërë për arsye se konsideron se dënimi në këtë rast është i panevojshëm, pasi tha se pasojat e kanë goditur aq rëndë edhe vetë të akuzuaren.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 11 maj 2022, A.K.e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur në maj të 2021-ës nga Prokuroria Themelore në Gjilan, A.K. po akuzohet se nga pakujdesia shkel ligjin dhe nuk përshtat shpejtësinë e lëvizjes dhe as kushtet dhe rrethanat e rrugës dhe humb kontrollin mbi automjet dhe bie në ara. Me këtë rast merr lëndime të rënda fëmija, A.B.

Me këtë, e njëjta po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 8 lidhur me paragrafin 6, dhe 1  të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë