Shpallet fajtor avokati që akuzohej se gjatë ushtrimit të detyrës kishte mashtruar klientin e tij

Rasti i Haxhi Cekaj 02.12.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Dhjetor 2, 2019

 

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj avokatit Haxhi Çekaj, i akuzuar për veprën penale “mashtrimi”.

Avokati Çekaj, akuzohej se sa ishte duke mbrojtur Nimon Berishën për një vrasje të rëndë në Pejë, kishte kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme të parave nga e dëmtuara Mirjeta Imeri, vajza e Berishës, kinse në emër të mbrojtjes së babait të saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, i akuzuari Çekaj është dënuar me 6 muaj burgim, si dhe me 3000 euro gjobë.

Në bazë të këtij aktgjykimi, dënimi me burg ndaj Çekajt, me pajtimin e tij mund t’i zëvendësohet me dënim me gjobë në vlerë prej 5000 euro, ndërsa i akuzuari është i obliguar të paguajë edhe 300 euro në emër të shpenzimeve procedurale.

Gjykatësja Musliu-Selimaj ka njoftuar se i akuzuari do të paguajë edhe shumën prej 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Ndaj Çekajt është shpallur edhe dënimi plotësues që është ndalimi i ushtrimit të profesionit të avokatit në kohëzgjatje prej një viti, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në shpallje të aktgjykimit, trupi gjykues ka njoftuar se kanë bërë edhe rikualifikimin e veprës penale “mashtrimi”, nga paragrafi 1, në paragrafin 2, i cili thotë se “Nëse vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni rezulton me dobi pasurore të kundërligjshme ose shkakton dëme në vlerë prej 10 mijë euro apo më shumë, kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet”.

Pala e dëmtuar, Mirjeta Imeri për realizmin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil, pasi që sipas gjykatëses Musliu-Selimaj nuk ishte përcaktuar saktë dëmi i shkaktuar në këtë rast.

Ndryshe, ky rast është i shënjëstruar për liberalizmin e vizave.

Më 25 nëntor të vitit 2019, pas më shumë se dy vjetësh gjykim, ishte dhënë fjala përfundimtare për këtë rast.

Ky gjykim i nisur në shtator të vitit 2017, është përballur shumë shpesh me shtyrje për shkak të mungesës së të akuzuarit, avokatit të tij, e disa herë edhe në mungesë të dëshmitarëve.

Në prill të vitit 2018, Çekaj kishte pranuar të hynte në negocim për të arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, mirëpo një gjë e tillë kishte dështuar të bëhet, duke rezultuar me vazhdim të procesit gjyqësor.

Në këtë proces janë dëgjuar shumë dëshmitarë, e ndër ta edhe e dëmtuara Mirjeta Imeri e cila është dëgjuar për pesë seanca me radhë.

Imeri gjatë tërë kohës kishte pretenduar se Çekaj e kishte mashtruar atë, derisa ishte avokat i babait të saj, në një rast penal në Gjykatën Themelore në Pejë.

Ndërsa, vetë i akuzuari Çekaj, gjatë tërë shqyrtimeve ka mohuar se ka kërkuar ndonjëherë para nga e dëmtuara dhe se sipas tij, ajo me vetë dëshirë i kishte dhënë të holla për secilin shërbim që ai kishte kryer si avokat.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë më 11 prill 2017, me të cilën Haxhi Çekajn, e ngarkonte se në cilësinë e avokatit të të akuzuarit Nimon Berisha, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër e mashtron të dëmtuarën Mirjeta Imerin dhe atë në vazhdimësi, duke filluar nga 06.01.2015 e deri më datën e ndalimit dhe arrestimit të tij më 15.02.2017.

Prokuroria pretendon se Çekaj, nga e dëmtuara Mirjeta Imeri kishte marr para për mbrojtjen e Nimon Berishës, babait të dëmtuarës në emër të mbrojtjes së tij dhe në emër të ekspertizave marrjes së një ekspertize nga Turqia dhe atë në një shumë të përgjithshme prej 43.000.00 euro, si dhe shumën tjetër të cilën Çekaj, e ka marr nga e dëmtuara në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë në shumë prej 40.000.00 euro. Kjo shumë, sipas aktakuzës, është konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit, ndërsa dëmi i shkaktuar të dëmtuarës tejkalon shumën 50.000.00 euro. /BetimipërDrejtësi