SHPALLET E PAFAJSHME DREJTORESHA KADASTRIT NË KOMUNËN E PRISHTINËS

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Nora Kelmendi-Drejtoreshë e Departamentit për Kadastër në Komunën e Prishtinës, të mërkuren, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur e pafajshme nga kryetarja e trupit gjykues Valbona Musliu-Selimaj.

Në arsyetimin e aktgjykimit, gjyqtarja Musliu-Selimaj tha se pasi që nuk është provuar se e akuzuara ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, gjykata e shpall të pafajshme dhe e liron nga akuza.

Gjyqtarja Musliu-Selimaj i njoftoi palët se në afatin ligjor prej 15 ditësh kanë të drejtë të paraqesin ankesë me shkrim kundër këtij aktgjykimi.

Ky proces gjyqësor zhvillohej në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku prokurorja e rastit Dulina Hamiti pretendonte se e akuzuara Nora Kelmendi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare si Drejtoreshë e Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, duke tejkaluar kompetencat e saj, i ka mundësuar zyrtarit Rrahim Ramadani vazhdimin e detyrës së tij si Zyrtar Ligjor në Drejtorinë e Kadastrit, përkundër faktit që i njëjti kishte qenë i pezulluar nga kjo detyrë, me vendim të Komisionit Disiplinor të Komunës së Prishtinës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë