SHPALLEN TË PAFAJSHME MOTRAT E AKUZUARA PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, janë liruar nga akuza Myvedete Gavazaj dhe Shpresa Hasani-Kryeziu, të cilat akuzoheshin, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit, dëm prej 700 Euro.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka shpallur aktgjykimin  me të cilin, të pandehurat janë liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, me arsyetimin se me provat e administruara dhe dëshmitarët e dëgjuar, gjatë shqyrtimit gjyqësor, nuk është provuar akuza.

Në seancën e së martës para shpalljes së aktgjykimit, është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë, me këtë rast, prokurori i çështjes, Sefer Morina, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se mbetet pranë aktakuzës sepse sipas tij, nga provat e administruara dhe deklaratat e dëshmitarëve para trupit gjykues me pa mëdyshje është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë gjendja faktike si në diapozitiv të aktakuzës, se të pandehurat kanë kryer veprën penale, me të cilën ngarkohen, andaj ka kërkuar që të njëjtat të shpallen fajtore dhe të dënohen sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarës, Myvedete Gavazaj, avokati Naim Qelaj, në fjalën përfundimtare ka thënë se me provat e administruara nga seancat e shqyrtimit gjyqësor dhe dëgjimit të dëshmitarëve, është vërtetuar se profesoresha Shpresa Hasani-Kryeziu, ka qenë në vendin e saj të punës për çdo ditë, dhe e akuzuara e tij si drejtoreshë e shkollës, nuk ka mundur ta dijë nëse po mbahen orët apo jo, sepse një raport i tillë për mbajtjen apo mos mbajtjen e orëve, jepet çdo tre muaj. Më tej ka shtuar se rekomandimet e inspektoratit të arsimit, në lidhje me këtë rast, i ka zbatuar plotësisht. Bazuar në këto, ai ka kërkuar që e mbrojtura e tij të shpallet e pafajshme.

Mbrojtësi i të akuzuarës, Shpresa Hasani-Kryeziu, avokati Esat Gutaj, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se pas provave të administruara dhe dëshmitarëve të dëgjuar, aktakuzë si e tillë nuk mund të qëndrojë as në aspektin faktik e as në atë juridik. Më tej ka shtuar se e mbrojtura e tij, për shkak të pakujdesisë nuk i ka shënuar, në ditarin e punës, orët mësimore, të cilat i ka mbajtur në lëndën “Gjuhë dhe Komunikim”, por megjithatë pas vërejtjes nga inspektorati i arsimit, ajo ka filluar t’i shënojë dhe i ka ri-mbajtur orët të cilat nuk i ka shënuar në ditarin e punës, pa marrë pagesë shtesë për këto orë, andaj sipas tij, buxheti nuk është dëmtuar, andaj ka kërkuar që, e mbrojtura e tij, të lirohet nga akuza.

Në vitin e kaluar, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë, ndaj tani të liruarave nga akuza, me arsyetimin se Myvedete Gavazaj, si drejtoreshë e shkollës, kishte mbuluar veprimet e motrës së saj, profesoreshës Shpresa Hasanaj-Kryeziut, e cila, sipas organit të akuzës, nuk i kishte mbajtur orët mësimore nga lënda “Gjuhë dhe Komunikim”, për periudhën shtator – dhjetor të vitit 2014, për të cilën periudhë kishte marrur pagën e plotë dhe me këto veprime i kishin shkaktuar dëm prej 700 Euro, buxhetit të Ministrisë së Arsimit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë