SHPALLEN TË PAFAJSHËM GJYKATËSI BEHAR YMERI DHE EKSPERTI MJEKO-LIGJOR NAIM HALITI
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj– Gjykata Themelore në Ferizaj, të premten ka shpallur të pafajshëm gjyqtarin Behar Ymeri i akuzuar për nxjerrje të kundërligjshme të vendimit gjyqësor dhe ekspertin mjeko-ligjor Naim Halitin për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. Të njëjtit nuk ishin prezent gjatë shpalljes së këtij aktgjykimi.
Krytari i trupit gjykues Musa Konxheli, deklaroi se gjatë gjithë seancave të mbajtura për këtë çështje penale, nga të gjitha provat e administruara dhe provat e tjera materiale që gjendeshin në shkresat e lëndës, si dhe nga vet deklaratat e të pandehurëve nuk është gjetur asnjë element i kryerjes së veprave penale. Me këtë rast, pasi që nuk është arritur të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar me aktakuzën e ngritur ndaj dy të pandehurëve, të njejtit nuk u gjetën fajtor dhe u liruan nga akuza.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Behar Ymeri akuzohej se si gjykatës në Gjykatën Themelore në Gjilan kishte nxjerrë një vendim të kundërligjshëm. Prokuroria pretendonte se me anë të atij vendimi, gjyqtari aprovonte kërkesën e prokurorit për dhënie të urdhërit ndëshkimor, përkundër faktit se para se të merrte aktgjykimin për aksidentn e shkaktuar në të cilin kishte mbetur e lënduar Blerta Halimi, kishte ofruar prova të reja në të cilat ishte konstatuar gjendja e re faktike, ku natyra e lëndimeve kishte rezultuar me pasoja të rënda dhe të përhershme. Në këtë mënyrë me nxjerrjen e aktgjykimit në fjalë i kishte shkaktuar dëme të dëmtuarës në fjalë.
Ndërsa i pandehuri tjetër Naim Haliti, akuzohej se si ekspert mjeko-ligjor kishte tejkaluar kompetencat dhe nuk kishte përmbushur detyrat zyrtare . I njëjti me rastin e dhënies së konkluzionit të datës 11 dhjetor 2012 lidhur me natyrën e lëndimeve të dëmtuarës Blerta Halimi ,në kundërshtim me realitetin që rrjedh nga aksidenti rrugor dhe raporti mjekësor të lëshuar nga spitali si dhe gjendjes së pacientës Blerta Halimi, e cila ishte e shtruar në Qendrë Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, i kishte kualifikuar dëmtimet e shkaktuara nga aksidenti rrugor si lëndim të lehtë trupor, përkundër se në rastin konkret lëndimet kanë qenë të rënda.