Shpallen të pafajshëm dy zyrtarët policorë që akuzoheshin për korrupsion

IMG_9117
Author

Raporton Djellza ZYHRANI

Qershor 9, 2021

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të mërkurën ka shpallur aktgjykim lirues ndaj dy zyrtarëve policorë të akuzuar për korrupsion, Nebojsha Vukojeviq dhe Sreqko Janiqijeviq.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Bekim Veliqi, nuk ka prova që vërtetojnë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, me të cilën ngarkoheshin nga prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata ka vlerësuar se nuk ka prova, prandaj edhe ka marrë aktgjykim lirues”, ka thënë gjykatësi Veliqi.

Gjykatësi bëri të ditur se shpenzimet procedurale për këtë rast bien në barrë të gjykatës. Palën e dëmtuar, gjykatësi Veliqi e udhëzoi në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 25 janar 2019 kishte ngritur aktakuzë ndaj Nebojsha Vukojeviq dhe Sreqko Janiqijeviq.

Sipas aktakuzës, më 3 korrik 2016, i dëmtuari Jugosllav Andrik, së bashku me dy dëshmitarët Radisha Llazoviq dhe Sllobodan Pandriq kishin shkuar në fshatin Drenov, Komuna e Leshakut, për të blerë dru nga personi Vladan.

Në ndërkohë aty kishte ardhur dëshmitari Dejan Veljkoviq, me automjetin e tij, i cili kishte kërkuar nga i dëmtuari Jugoslav Andrik, para në shumën prej 400 euro, për drutë të cilat ia kishte shitur para një viti, derisa i dëmtuari i ishte përgjigjur se drutë atëherë ia kishin konfiskuar policia, pasi nuk kishin qenë të vulosura.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dejan Veljkoviq kishte filluar ta kërcënonte të dëmtuarin Jugosllav Andrik, se do ta thërret një person që do t`ia djegë kamionin nëse nuk ia jep paratë, ose do ta thërret vëllain e tij polic, për t`i marrë paratë.

Pastaj, siç thuhet në aktakuzë, Veljkoviq kishte thirrur në telefon policinë.

Pas kësaj, vazhdon aktakuza, zyrtari policor, i akuzuari Nebojsha Vukojeviq, me ndihmën edhe të akuzuarit tjetër, Sreqko Janicijeviq, e kishin kapur për dore të dëmtuarin Jugosllav Andrik, i cili kishte qenë në kamion dhe e kishin tërhequr të dëmtuarin deri te automjeti i policisë.

Të njëjtin, të akuzuarit e kishin detyruar që t`ia jep paratë dëshmitarit Veljkoviq, ose do ta dërgojnë në gjykatë në Vushtrri ose nuk do ta lëshojnë nga vendi ku ishte.

Siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari nën presionin e policisë, i kishte nxjerr nga xhepi paratë në shumë prej 360 euro dhe ia kishte dhënë Veljkoviqit, me ç`rasti ky i fundit i kishte thënë policisë “lirojeni tani Jugosllavin”.

Me këtë, Vukojeviq dhe Janiqjijeviq, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./BetimipërDrejtësi