Shpallen të pafajshëm dy të akuzuarit se me veturën e tyre goditën atë të policisë

Author

Raporton: Blinerë BEKA

Shtator 14, 2021

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur të pafajshëm Raif dhe Ramadan Sylejmanin, të cilët akuzoheshin se me veturën e tyre kishin goditur veturën e policisë.

Deri tek ky vendim, gjykatësja Vlora Pacolli-Rexhepi, tha se ka ardhur për shkak të mosarritjes së provimit se të pandehurit kanë kryer veprën penale.

“Prokuroria as në aktakuzë dhe as në shqyrtim, nuk ka specifikuar veprimet se në çfarë mënyre e ka kryer veprën penale Ramadan Sylejmani”, ka thënë gjykatësja Pacolli-Rexhepi.

Më tutje, sa i përket  Raif Sylejmanit, pas analizimit të veprimeve të ndërmarra nga i njëjti, gjykata ka njoftuar se  veprimet e tij në fakt përmbushin elementet e veprës kundërvajtëse, duke marrë parasysh faktin se nuk e ka respektuar urdhrin e policisë, e për këtë, do mund te akuzohej për asgjësim apo dëmtim të pasurisë.

Por, duke marrë parasysh se nga momenti që ka ndodhur ngjarja e deri më sot kanë kaluar më shumë se 4 vite, kjo vepër është parashkruar, andaj Raif Sylejmani për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nuk mundet as të gjykohet as të dënohet.

Sipas aktakuzës, më 12 shkurt 2017, në një rrugë mali në fshatin Slivovë, Komuna e Prishtinë, të pandehurit Raif Sylejmani dhe Ramadan Sylejmani thuhej se kanë penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kjo sipas aktakuzës kishte nodhur derisa personat zyrtarë të Stacionit Policor Veriu në Prishtinë kanë qenë duke e kontrolluar zonën malore, sipas një informate të një qytetari se në pronën e tij persona të dyshuar janë duke prerë dru.

Siç thuhet në aktakuzë, me të arritur afër malit, personat zyrtarë kanë hasur në veturën e tipit “Opel Cadet” e cila ka qenë në drejtim të kundërt të tyre e në të cilën ishin të pandehurit e lartpërmendur dhe përkundër që njësiti policor iu ka dhënë shenjë që të ndalen, kanë vazhduar dhe duke ikur kanë goditur veturën e policisë.

Për këtë, ata ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni  409, paragrafi 1, lidhur me paragrafi 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi