Shpallen fajtorë për keqpërdorim pozite, 15 muaj burg për dy ish-zyrtarët e Komunës së Prishtinës

20190910_101435
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Shtator 10, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shqiptuar dënim prej 15 muajsh burgim ndaj dy ish-zyrtarëve të Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, pasi janë shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanca, ish-shefi i sektorit të ndërtimit, Ismet Haliti, është dënuar me nëntë muaj burgim.

Ndërsa, ish-ekzekutuesi-përmbaruesi i komunës, Skender Canolli është dënuar me gjashtë muaj burgim, i cili ketë dënim ka mundësi ta zëvendësojë në dënim me gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata janë obliguar që të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës, të cilat do të llogariten nga gjykata si dhe të paguajnë paushallin gjyqësor, secili nga 100 euro.

Ndërsa, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Shpallja e aktgjykimit është bërë pas një orë e 15 minutave pritje, pasi sipas gjykatëses Krasniqi-Jashanica, ajo kishte marrë pjesë edhe në një seance tjetër.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, nga viti 2008, e deri në vitin 2014.

Prokuroria pretendon se Haliti, në pozitën e shefit të sektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës dhe Canolli si ekzekutues-përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që Habib Vllasaliu, të fitojë çfarëdo dobie pasurore duke mos zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës, të datës 5 tetor 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje, në pronën e Vllasaliut.

Gjithmonë sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Haliti është njoftuar në formë të shkruar nga inspektorët e ndërtimit se duhet të veprohet në bazë të aktvendimit të 5 tetorit 2006, dhe të rrënohet objekti, të akuzuarit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i mundësuar Vllasaliut të përfitojë dobi pasurore nga ndërtimi që prokuroria e konsideron pa leje. /BetimipërDrejtësi