Shoqërohet në polici i dyshuari lidhur me videon ku shihet fëmija duke vozitur veturë

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Policia e Kosovës (PK) njofton se i dyshuari në Podujevë është shoqëruar në polici më 4 janar 2022, lidhur me një video të postuar në rrjete sociale, ku shihet fëmija duke vozitur një veturë.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi për medie nga policia, ku thuhet se lidhur me atë video dhe një tjetër të postuar në rrjete sociale, janë iniciuar tri raste të ndryshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Policia njofton se hetuesit e stacionit policor të Podujevës, sot kanë sekuestruar një armë zjarri (AK-47), në fshatin Tërrnavë, të Podujevës.

“Operacioni policor është ndërrmarë në koordinim me prokurorin e shtetit dhe gjyqtarin e procedurës paraprake, nga ana e hetuesve të cilët kanë identifikuar lokacionin dhe personin e dyshuar, i cili kishte postuar në rrjete sociale një video duke shtënë me armë zjarri”, thuhe në njoftim.

Policia bën të ditur se përderisa hetuesit po kryejnë procedurat e nevojshme policore, në stacionin e Podujevës janë iniciuar dy raste shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe një mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë