Shoqata e prokurorëve të Kosovës reagon ndaj kërcënimeve të bëra kundër prokurores Drita Hajdari

20200111_130455
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Janar 11, 2020

Prishtinë, 11 janar 2020 – Lidhur me kërcënimet për likuidim fizik të bëra ndaj prokurores speciale, Drita Hajdari, ka reaguar edhe Shoqata e Prokurorëve të Kosovës.

Përmes këtij reagimi, Shoqata në fjalë ka kërkuar nga Policia e Kosovës që sa më parë të kapen kërcënuesit e prokurores dhe të sillen para organeve të drejtësisë.

“Njoftojmë opinionin se asnjë kërcënim apo sulm ndaj prokurorëve të shtetit, nuk do të lëkund asnjë prokurorë që të zbatoj ligjin dhe të ndërmerr të gjitha veprimet e mundshme ligjore për të sjellë para drejtësisë të gjitha ata që dyshohen se kanë kryer vepra penale”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës.

Për kërcënimet ndaj prokurores speciale, të shtunën, ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKSH).

Në komunikatën për media të dërguar nga KPK dhe ZKSH, thuhej se kërcënimet serioze ndaj prokurores Hajdari vijnë si rrjedhojë e fushatës dhe gjuhës denigruese publike nga një grup individësh, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës në lidhje me rastin e ashtuquajtur “Pronto”.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurores speciale, Drita Hajdari, duke i ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e saj në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e kryeseve të veprave penale”, thuhej në komunikatë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njoftojnë se kërcënimet ndaj prokurores Drita Hajdari janë duke u trajtuar seriozisht dhe me nivelin e duhur të urgjencës, me ç’rast kanë urdhëruar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë masa konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personave, të cilët kanë kërcënuar prokuroren Hajdari, si dhe të njëjtit të dalin para organeve të drejtësisë.”, thuhej tutje në komunikatën e dërguar nga KPK dhe ZKSH.

Ndryshe, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, mëngjesin e së shtunës, është drejtuar në Policinë e Kosovës, ku ka paraqitur një rast të kërcënimit.

Rastin e ka konifrmuar Policia e Kosovës, duke thënë se kanë pranuar informatën se prokurorja Hajdari është kërcënuar me jetë.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se rasti është duke u hetuar.

“Mund të konfirmojmë se e njejta sot është paraqitur në stacion policor, për ta raportuar një rast, për të cilin është duke u intervistuar. Rasti do të trajtohet nga njësitet relevante policore, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorine kompetente”, thuhet në përgjigjen e Kelanit.

Ndryshe, prokurorja Hajdari kishte ngritur dhe përfaqësuar aktakuzën në rastin “Pronto”, ku të akuzuar janë Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti e të tjerë.

Por, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 janar 2020, të gjithë të akuzuarit i ka shpallur të pafajshëm.