Shokët e të akuzuarit për terrorizëm në rastin “Badovci” thonë se kishin qenë bashkë një ditë para se të arrestohej

IMG-2146 (1)
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Prill 10, 2019

Prishtinë – Dëshmitarët Enver Gjata dhe Arsim Syla, kanë thënë se kishin qenë bashkë me të akuzuarin për ndihmë në kryerjen e veprës penale të terrorizmit, Fehmi Musa, para se të ndodhte rasti “Badovci”.

Rasti ndaj Musës, pas dënimit nga shkalla e parë, e vërtetimit të aktgjykimit nga shkalla e dytë, ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme në maj 2018, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Musa po akuzohet se me 11 korrik 2015, kishte shkuar tek Liqeni i Badovcit për t’i arratisur nga vendi i ngjarjes të akuzuarit Besnik dhe Enis Latifin si dhe Milazim Haxhijajn, të cilët kishin pasur për qëllim incizimin e një video propaganduese me qëllim leximin e betimit ndaj udhëheqësit të ISIS-it dhe të publikojnë këtë video në internet, për t’ua dëshmuar botës shtrirjen e shtetit islamik në Republikën e Kosovës.

Dëshmitari Enver Gjata ka thënë se të akuzuarin Musa e njeh që nga viti 2015, dhe se ishin njohur në xhami.

A ka thënë se me 11 korrik 2015, së bashku me shokun e tij, Arsim Syla ishin takuar me të akuzuarin Musa në xhami për të kryer namazin e natës dhe pastaj kishin shkuar në një lokal në lagjen “4 Llullat”, në Prishtinë, për të ngrënë syfyr.

Sipas tij, gjatë kohës sa kishin qëndruar bashkërisht nga ora 24:00 deri në 03:00, të akuzuarin Musa e kishte telefonuar një klient në telefon për shërbime të taksisë, pasi i njëjti kishte punuar si taksist.

“Përafërsisht 5-10 minuta pasa se mu nda na, e ka thirr ai klient, por nuk e kam dëgjuar bisedën e tyre pasi ka qenë zhurmë. Ai na ka treguar se e ka thirr një klient dhe që duhet me shku, pastaj është ndarë prej nesh, nuk na ka treguar se ku ka pas me shku me marrë atë klient, nuk më kujtohet a ka pasur më herët telefonata apo jo”, ka thënë dëshmitari Gjata.

Pastaj, ai tha se të nesërmen përmes mediave e kishte kuptuar se Musa ishte arrestuar nga policia.

Dëshminë në seancën e së mërkurës e ka dhënë edhe dëshmitari Arsim Syla.

Edhe ai ka deklaruar se të akuzuarin Musa e kishte njohur në xhami, ndërsa më parë e kishte njohur si figurë, pasi sipas tij, Musa kishte shitur libra fetarë para Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Në ditën kritike, ai tha se ishin takuar me të akuzuarin Musa.

“Me sa më kujtohet ka qenë në namazin e natës, pasi më duket që kanë qenë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, dhe nga Xhamia pasi kemi falur namazin kemi shkuar në Hallall Pizza për syfyr”, tha dëshmitari.

Sipas tij, i akuzuari Musa e kishte marrë një telefonatë, por tha se ajo nuk kishte ndikuar që ata të shpejtonin ngrënien e syfyrit.

“E di që kur ka përfunduar syfyri ne normalisht jemi ndarë, unë me Enverin kemi shkuar me veturën e Enverit, ndërsa Fehmiu me veturën e vet. Ai na ka thënë se më thirren do pasagjer po shkoj me i marrë, pastaj po shkoj në shpi, nuk na ka treguar e as nuk e kemi pyetur se ku po shkon”, shtoi dëshmitari.

Pastaj, ai tha se në mëngjes përmes mediave e kishte kuptuar për rastin “Badovci”, dhe pasi kishin dalë emrat e të dyshuarve e kishte marrë vesh për të akuzuarin Musa që ishte arrestuar.

Ndryshe, para fillimit të kësaj seancë, prokurorja Drita Hajdari, ka kërkuar përjashtimin e publikut, pasi në këtë seancë ishin paraparë të dëgjoheshin në cilësinë e dëshmitarëve tre hetuesit policor nga Drejtoria Kundër Terrorizmit.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 7 maj 2019, në ora 09:30.

Ndryshe, aktakuza ndaj Musës dhe të bashkakuzuarve të tij Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Enis Latifit ishte ngritur me 4 dhjetor 2015, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK). Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe Betim Ibrahimaj, por në seancën e 22 shkurtit të këtij viti, prokurorja Hajdari kishte propozuar që të lexohen deklaratat e tij të dhëna në Polici dhe Prokurori, pasi sipas saj, nga informatat e policisë, ai ishte vrarë në luftën në Siri.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit sipas marrëveshjes paraprake, më 10 korrik 2015, kishin shkuar tek liqeni i Badovcit, që me ikonografin e terrorit të organizatës terroriste ISIS, ta incizojnë një video propaganduese, në të cilën kishin pasur për qëllim që ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “ISIS” dhe ta publikojnë këtë video në internet, për ta dëshmuar para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islamik” në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se pasi të akuzuarit ishin ndalur në afërsi të liqenit, ishin vërejtur nga rojtarët e liqenit, të cilët e kishin njoftuar Policinë e Kosovës, e cila kishte arritur në vendin e ngjarjes dhe i kishte arrestuar të pandehurit Besnik Latifi, Enis Latifi dhe Milazim Haxhiaj, derisa të pandehurit Gazmend Haliti dhe Betim Ibrahimaj ishin arratisur nga vendi i ngjarjes, të ndihmuar nga i pandehuri Fehmi Musa.

Ndërsa, Musa po akuzohet se më 11 korrik 2015, rreth orës 02:00 të mëngjesit, kishte shkuar tek liqeni i Badovcit dhe me veturën e tij e kishte bartur të pandehurin Gazmend Haliti deri në fshatin Hajvali dhe të pandehurin Betim Ibrahimaj deri në Istog, edhe pse e kishte ditur qëllimin e qëndrimit të tyre tek liqeni i Badovcit, si dhe duke e ditur se me atë rast ata ishin arratisur nga policia.

Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës më 29 maj 2018, kishte miratuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtësi i të dënuarit Fehmi Musa dhe detyrimisht të anulohen vendimet e nxjerra nga Gjykata Themelore në Prishtinë të 19 korrikut 2018 dhe ai i Apelit i 24 tetorit 2017, duke ia kthyer lëndën për rivendosje shkallës së parë.

Sipas Supremes, vendimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilët nuk janë eliminuar as me aktgjykimin e shkallës së dytë, për çka edhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është e bazuar.

Po ashtu, ky rast ishte kthyer edhe një herë në rigjykim, pasi që Gjykata Supreme, e kishte rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila i kishte dënuar Besnik Latifin, Gazmend Halitin, Milazim Haxhiajn, Enis Latifin dhe Fehmi Musën, për kryerje të veprës penale që ndërlidhet me terrorizëm.

Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të parë, kishte shpallur të akuzuarit fajtorë më 18 korrik 2016, ndërsa aktgjykimin e Themelores e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit, më 29 nëntor 2016, duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Fehmi Musës e Enis Latifit.

Ndërsa, për herë të dytë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 korrik 2017, të akuzuarit Besnik dhe Enis Latifi, si dhe të akuzuarit Haliti dhe Haxhiaj i kishte shpallur fajtorë dhe i kishte dënuar me nga tre vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa tani të akuzuarin Musa e kishte dënuar me tre vjet burgim.

Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj dhe Enis Latifi, akuzoheshin për përgatitje të veprave terroriste, ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, ndërsa, Fehmi Musa për ndihmë për kryerjen e veprës penale të terrorizimit.

Me aktgjykimin e parë, në korrik të vitit 2016, Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Enis Latifi me 10 vjet, ndërsa Fehmi Musa me 4 vjet burg. /Betimipërdrejtësi