Shkon në procedurë të ndërmjetësimit lënda ndaj të akuzuarit për vjedhje rryme

GJYKATA 2 (4)
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Shtator 11, 2019

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Hajriz Shabiu.

Dërgimi i lëndës në procedurën alternative është bërë pas propozimit të të akuzuarit Shabiu në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një propozim të tillë, e ka bërë me arsyetimin se dëshiron ta mbyllë këtë çështje sa më parë dhe se është pagues i rregullt i energjisë elektrike.

Me këtë propozim të të akuzuarit Shabiu është pajtuar prokurorja Kujtesa Fazliu.

Pas kësaj, gjykatësi i çështjes Nexhat Aliu, me aktvendim ka aprovuar propozimin që çështja të dërgohet në procedurë të ndërmjetësimit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 8 tetor 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Hajriz Shabiu, duke e ngarkuar me veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale” nga neni 320 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 11 qershor 2018, në fshatin Gjylekar, Komuna e Vitisë, pas vërtetimit të gjendjes faktike të njehsorit, nga punëtorët e autorizuar të KEDS-it, është konstatuar se me qëllim që vetës t’i sjell pasuri të kundërligjshme, ka bërë vjedhjen e energjisë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se gjatë kontrollimit të njehsorit, komisioni ka vërejtur se sistemi i fazës së dytë L2 është eliminuar dhe si pasojë njehsori elektrik ka regjistruar energji elektrike 33.33% me pak.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, KEDS-it-Distrikti në Gjilan, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 242,73 euro. /BetimipërDrejtësi