Shkon në procedurë të ndërmjetësimit lënda ndaj të akuzuarit për kanosje

gj9 (2)
Author

Raporton: Avni Berisha

Korrik 21, 2021

Rahovec –  Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, të mërkurën, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për kanosje, Bajram Hoti.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që i akuzuari ka propozuar që kjo lëndë të zgjidhet në procedurë alternative, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare të mbajtur më 6 korrik 2021, i akuzuari Hoti nuk kishte pranuar fajësinë dhe kishte hequr dorë nga shqyrtimi i dytë, mirëpo në seancën e së mërkurës i njëjti deklaroi se pas konsultimeve me mbrojtësin e tij, dëshiron që të shkoj në procedurë të ndërmjetësimit.

Me propozimin e të akuzuarit është pajtuar prokurori Sadri Alija dhe i dëmtuari Adnan Hoti.

Pas marrjes së mendimit të palëve, gjykatësi Ilir Rashkaj e ka referuar lëndën në procedurë të ndërmjetësimit, me ç’ rast e ka obliguar Organin e Ndërmjetësimit në Gjakovë që ta njoftojë gjykatën për epilogun e kësaj çështje.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Gjakovë, të ngritur më 19 dhjetor 2019, Bajram Hoti akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 181, paragrafi 1 i Kodit Penal, kryesi i së cilës dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj.

Në aktakuzë thuhet se më 20 nëntor 2019, rreth orës 16:05 minuta, në fshatin Ratkoc të Rahovecit, pikërisht para dyerve të shtëpisë së dëshmitarit Nysret Hoti, i pandehuri seriozisht e kanos personin tjetër, të dëmtuarin Adnan Hoti, me fjalë, vepra apo gjeste.

Sipas aktakuzës, përderisa në ditën kritike po qëndronte i dëmtuari Adnan Hoti me dy kushërinjtë e tij, Nysret dhe Shefqet Hoti në vendin e lartcekur, papritmas vjen i pandehuri me veturën e tij “Peugeot” me të cilin në parë kishin pasur disa mosmarrëveshje familjare, e ndal veturën del nga vetura dhe fillimisht e kanos me fjalët “Se pa ta q… at nënë nuk e la”. Tutje, thuhet se në atë moment i dëmtuari ik duke u futur në shtëpinë e kushëririt Nysret Hoti, me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth. /BetimipërDrejtësi