Shkon në procedurë të ndërmjetësimit lënda ndaj të akuzuarit për aksident trafiku

Nora Kelmendi- Raporti për Web- Rasti Enis Ahmeti- 9 janar 2019
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Janar 9, 2019

Mitrovicë –  Enis Ahmeti, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “rrezikim i trafikut publik”, në seancën e së mërkurës të mbajtur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, propozoi që çështja penale ndaj tij, të dërgohet në procedurë të ndërmjetësimit.

Propozimi i tij, nuk u kundërshtua nga ana e prokurorit të rastit, Sahit Tmava, i cili deklaroi se meqenëse i akuzuari me të dëmtuarit në këtë rast, Arlind Avdiu, Driton Veliu dhe Alban Haradinaj, është në raporte familjare, sipas tij, nga ana e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, nuk ka asnjë kundërshtim që kjo lëndë të dërgohet në ndërmjetësim.

Bazuar në këtë, gjykatësi i rastit Rrahman Beqiri, mori aktvendim me anë të së cilit aprovoi propozimin e të akuzuarit Enis Ahmeti që çështja penale ndaj tij të kalojë në procedurë të ndërmjetësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, gjykatësi Beqiri, bëri të ditur se palët kanë afat që brenda 90 ditësh të arrijnë marrëveshje dhe në rast se kjo nuk arrihet, siç tha ai  procedura do të vazhdojë në Gjykatë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 31 janar 2017, Enis Ahmeti po akuzohet se më 14 prill 2016,  në Mitrovicë, nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me gjendjen në rrugë.

Bazuar në aktakuzë, vepra penale e rrezikimit të trafikut publik, është kryer në atë mënyrë që i akuzuari Ahmeti përderisa ka drejtuar automjetin e tij në drejtim të shkollës fillore “Migjeni” në Mitrovicë, me të arritur te udhëkryqi ka marrë përparësinë e kalimit automjetit të markës “Audi” të cilin e ka drejtuar Arlind Avdiu, me ç’rast janë shkaktuar dëme materiale dhe lëndime trupore.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se lëndime trupore kanë pësuar Arlind Avdiu, Alban Haredinaj, Driton Veliu dhe vetë i akuzuari Enis Ahmet, e që sipas aktakuzës, këto dëmtime janë konstatuar si dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme.

Me këtë, Enis Ahmeti, nga ana e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, akuzohet për kryerjen e veprës penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi