Shkon në ndërmjetësim rasti ndaj të akuzuarit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”

05.02 (1)
Author

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Shkurt 22, 2021

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtine, Departamenti i Përgjithshëm, të hënën ka mbajtur seancën fillestare ndaj të akuzuarit për veprën penale “Lëndim i lehte trupor”, Andi Pajaziti.

Avokati mbrojtës i të pandehurit, Fanol Krasniqi , i ka propozuar gjykatës që kjo çështje penale-juridike  të referohet në procedurën e ndërmjetësimit dhe të zgjidhet në procedurën e ndërmjetësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prezent në seancë ishte i dëmtuari Gjergj Batusha i cili deklaroi se pajtohet që lënda të shkoj në ndërmjetësim dhe se do ta tërheq lëndën pasi që më nuk ka probleme me të akuzuarin Pajaziti.

Kjo kërkese e avokatit Krasniqi nuk është kundërshtuar as nga prokurorja Ferdane Sylejmani.

Pas kësaj gjyqtari Adnan Kamberi deklaroi se gjykata ka marr aktvendim se aprovohet propozimi i të pandehurit që kjo çështje penalo-juridike të referohet në procedurën e ndërmjetësimit dhe të zgjidhet sipas ligjit me ndërmjetësim.

Lidhur me kohën e mbajtjes së seancës se ndërmjetësimit palët do të njoftohen nga zyra për ndërmjetësim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndryshe sipas aktakuzës, me 10 shkurt 2016, rreth orës 18:15 në Prishtinë, në lagjen Velania, rr. Vushtrria, i pandehuri në bashkryerje së bashku me tre persona të panjohur deri më tani, ka sulmuar të dëmtuarin Gjergj Batusha, në atë mënyrë që, derisa i dëmtuari ishte duke ecur rrugës, së bashku me shokët  Ardit Berisha dhe Talat Haziri, në ato momente ka ardhur një makinë e tipit “Sharan” dhe nga vetura ka dal i pandehuri me tre persona të tjerë , dhe duke përdorur shkopinj druri kanë goditur disa herë në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

I pandehuri me këtë ka kryer veprën penale në bashkryerje “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 par.1 lidhur me par. 2 lidhur me nenin 21 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi