Shkon në ndërmjetësim rasti ku ish-drejtori i “Z-Mobile” akuzohej se kanosi një grua
Raporton: Donjeta AJVAZI
Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën në rastin ku ish-drejtor i “Z-Mobile”, Milot Gjikolli po akuzohet se në nëntor të 2018-ës me dashje ka kanosur të dëmtuarën A.B.
Gjykatësja e rastit Vlora Pacolli Rexhepi në seancën e së hënës konstatoi se gjykata ka pranuar nga avokati mbrojtës i të pandehurit avokat Florent Latifaj propozimin që lënda të vazhdojë në procedurë të ndërmjetësimit.
Gjykata ka tentuar që këtë propozim të ia dërgoj edhe palës së dëmtuar, mirëpo është kthyer pasi që ishte adresa e pamjaftueshme.
Si rezultat i kësaj, pasi që në seancë ishte e pranishme edhe e dëmtuara e rastit A.B, gjykatësja Rexhepi kërkoi mendimin e palës së dëmtuar në lidhje më këtë propozim.
“Po bën”, deklaroi e njëjta, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me një propozim të tillë janë pajtuar edhe prokurori Bekim Kodraliu dhe i akuzuari Gjikolli dhe të njëjtin e ka aprovuar gjyqtarja e rastit Vlora Pacolli Rexhepi.
E njëjta konstatoi se pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtës së të pandehurit dhe deklarimit të palëve në procedurë, për veprën penale “Kanosja” për të cilën akuzohet i pandehuri janë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara edhe me Kodin e Procedurës Penale që e njëjta të zgjidhjet me ndërmjetësim.
Gjykatësja deklaroi se çështja referohet për zgjidhje në zyrën për ndërmjetësim dhe e njëjta obligohet që në afatin ligjor prej 90 ditëve t’i dorëzoj gjykatës një raport me shkrim lidhur me rezultatin e arritjes së marrëveshjes.
Nëse nuk arrihet marrëveshja çështja kthehet në gjykatë dhe vazhdon procedura penale”, deklaroi gjykatësja Rexhepi.
Kundër këtij aktvendimi, ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të pandehurit Gjikolli, avokati Latifaj ka precizuar bazën ankimore me propozim që Gjykata e Apelit ankesën ta aprovojë dhe aktvendimin e atakuar ta ndryshojë ose ta kthejë lëndën në rivendosje.
Mirëpo, sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata e Apelit më 9 shkurt 2022 ka marrë aktvendim, me të cilin ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Gjikolli, avokatit Florent Latifaj, të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Me këtë vendim Gjykata e Apelit ka vlerësuar se në rastin konkret ajo çka është relevante për këtë fazë të procedurës penale, është fakti se akuza mbështetet në prova thelbësisht të mbështetshme dhe të marra konform dispozitave ligjore dhe se nuk ka vend për hedhje të akuzës, ngase vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri paraqet vepër penale, nuk ekzistojnë rrethana e përjashtojnë përgjegjësinë penale, nuk ka arritur afati i parashkrimit dhe nuk ka rrethana të tjera që e pengojnë ndjekjen penale.
Ndryshe, aktakuza e ngritur në mars të vitit 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Milot Gjikollin se në nëntor të 2018-ës në rrugën Prishtinë-Gjilan, në afërsi të pompës “Al Petrol”, derisa ishte duke drejtuar veturën e tij, me dashje e ka kanosur të dëmtuarën A.B.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë ashtu që me qëllim të frikësimit ka frenuar përpara saj në mënyrë të vrullshme duke i thënë me fjalët “tabelat t’i mora dhe e sheh ti kush jam unë”, për çka tek e dëmtuara është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.
Për këtë, Gjikolli akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 185, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.