Shkon në ndërmjetësim rasti i vjedhjes së mbi 3 metrave dru në Krilevë të Kamenicës

Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shtator 14, 2021

Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, të martën, e ka dërguar në Qendrën e Ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit Feti Demolli për vjedhjen e 3.41 m3 dru në pronën e të dëmtuarit Faik Ahmeti, në fshatin Krilevë të Kamenicës.

Një gjë e tillë është vendosur pasi gjykatësja Valbonë Dërvodeli e ka njoftuar të akuzuarin dhe të dëmruarin për mundësinë e ndërmjetësimit, me ç’rast ata janë pajtuar që ky rast të zgjidhet me këtë procedurë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë gjë nuk e ka kundërshtuar prokurori Halim Borovci, duke thënë se për këtë duhet të përmbushen kushtet ligjore.

Lidhur me këtë, gjykatësja Valbonë Dërvodeli mori aktvendim me anë të së cilit këtë rast penal e ka dërguar në Qendrën e Ndërmjetësimit në Gjilan.

“Nëse brenda afatit ligjor nuk kemi ndonjë konfirmim për procedurën e ndërmjetësimit, atëherë gjykata do të caktojë shqyrtimin gjyqësor”, ka thënë gjykatësja Dërvodeli.

Ndryshe, në fillim të seancës, gjykatësja Dërvodeli ka njoftuar se këtë lëndë fillimisht e ka pasur në punë gjykatësi Sadri Krasniqi, por më pas për shkak të pengesave ligjore që ka pasur ky rast, lënda ka kaluar tek ajo.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në shkurt 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Feti Demollit, me arsyetimin se ai më 8 shkurt 2020, në Krilevë të Kamenicës, në vendin e quajtur “Guri”, në pronën e të dëmtuarit Faik Ahmeti, me sharrë motorike ka prerë 22 corë drunjë të llojeve “bung”, “ah” dhe “shkozë”, me vëllim të përgjithshëm 3.41 m3, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm në vlerë të papërcaktuar.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja e pyllit”, nga neni 349 paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.