Shkon në ndërmjetësim rasti i aksidentit në trafik që kishte ndodhur në vitin 2013

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Dhjetor 5, 2018

Vushtrri – Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, e ka dërguar për ndërmjetësim rastin e të akuzuarit për aksident trafikut, Ervin Bujupaj.

Këtë vendim gjykata e ka marrë të mërkurën pasi palët janë pajtuar që kjo çështje penale të zgjidhet përmes Qendrës së Ndërmjetësimit.

I pandehuri, Bujupaj, ka deklaruar se me të dëmtuarit ka raporte miqësore dhe i ka propozuar gjykatës që këtë rast ta zgjidhin me marrëveshje, pasi sipas tij, ekziston vullneti i palëve të dëmtuara.

“Me personat e dëmtuar kam raporte të miqësisë dhe se jam pajtuar pas rastit që ka ndodhur në këtë fatkeqësi, dhe i propozojë gjykatës që të merremi vesh lidhur me këtë çështje penale, meqenëse është edhe vullneti i palëve të dëmtuara”, ka thënë Bujupaj.

E dëmtuara, Ardiana Zabërxha-Meholli, ka deklaruar se me të pandehurin janë pajtuar.

“Ne jemi marrë vesh me të pandehurin dhe po ashtu pas aksidentit që ka ndodhur jemi pajtuar, dhe i propozoj gjykatës që ndaj të pandehurit të zhvillohet procedura më e lehtë dhe me pasoja më të vogla. Pas komunikimit me bashkëshortin tim Arben Meholli si dhe kunatën time Luljeta Meholli të njëjtit janë pajtuar që të iniciohet procedura e ndërmjetësimit”, ka deklaruar ajo.

Pëlqimin që lënda të shkojë në ndërmjetësim e ka dhënë edhe prokuroja Natasha Radoviq, ngase sipas saj, janë plotësuar kushtet ligjore për një gjë të tillë.

Gjykatësi i rastit, Agron Maxhuni, ka marrë vendim që kjo çështje të adresohet në procedurë të ndërmjetësimit.

“Dënimi për këtë vepër penale është me gjobë ose dënim me burgim deri në tre vite. Gjykata konform dispozitave ligjore të KPPRK-së përkatësisht nenit 232 si dhe nenit 8 të Ligjit për Ndërmjetësim, me pëlqimin paraprak të pandehurit, të të dëmtuarve si dhe prokurores së shtetit, në seancën e datës 05 dhjetor 2018, merr këtë aktvendim, iniciohet dhe udhëzohen palët që në këtë çështje penale lënda të adresohet në procedurë të ndërmjetësimit”, ka thënë Maxhuni.

Maxhuni ka shtuar se afatet e përcaktuar në ligjin për ndërmjetësimin janë të obligueshme për palët.

Prokuroria Themelore Mitrovicë, me 15 dhjetor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Ervin Bujupaj.

Në bazë të aktakuzës, i pandehuri Bujupaj me 11 prill 2013, në fshatin Smrekonicë, derisa kishte qenë duke drejtuar automjetin e tipit “VW Kaddy”, kishte kaluar në shiritin e kundërt të rrugës, me ç` rast  kishte goditur automjetin “Renault” me drejtues Arben Meholli.

Siç thuhet në aktakuzë, si pasojë e këtij aksidenti lëndime të natyrës se lehtë trupore kishin pësuar  të dëmtuarit Arben Meholli, Ardiana Zabërxha dhe Luljeta Meholli.

Me këtë, Bujupaj akuzohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 par. 6 në lidhje me par 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.