Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarve se rrahën të dëmtuarit pas një aksidenti trafiku

2101
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Janar 21, 2020

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, të martën, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit, lëndën ndaj të akuzuarve për lëndim të lehtë trupor, Vigon Tahiri, Mevludin Sylejmani dhe Feriz Muharremi.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që të akuzuarit në seancën e shqyrtimit fillestar kanë propozuar që kjo lëndë të zgjidhet në procedurë alternative, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Vigon Tahiri, Mevludin Sylejmani dhe Feriz Muharremi, kanë thënë se me të dëmtuarit janë pajtuar dhe se nuk kanë asnjë problem mes vete.

Me këtë propozim, është pajtuar edhe prokurorja e rastit Huma Jetishi, si dhe i dëmtuari Florian Selmani, i cili deklaroi se ai dhe vëllai i tij, janë të pëlqimit që kjo çështje penale të zgjidhet me ndërmjetësim, ngase me të akuzuarit tani janë pajtuar.

Pas marrjes së mendimit të palëve, gjykatësja Drane Simani e ka referuar lëndën në procedurë të ndërmjetësimit, me ç’rast e ka obliguar Organin e Ndërmjetësimit, që ta njoftojë gjykatën për epilogun e kësaj çështje.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 16 korrik 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Vigon Tahirit, Mevludin Sylejmanit dhe Feriz Muharremit, të cilët i ngarkon me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 paragrafi 3 nënpargrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1.4 e me nenin 31 të KPRK-së.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit, më 8 qershor 2018, rreth orës 01:40, në fshatin Drobesh, Komuna e Vitisë, të pandehurit Vigon Tahiri, Mevludin Sylejmani dhe Feriz Muharremi, në bashkëkryerje dhe me përdorimin e dhunës, me dashje i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarve Florian Selmani dhe të miturit R.S, ashtu që për shkak të një aksidentit trafiku që ka ndodhur në mes të veturave të të dy palëve, të pandehurit dalin nga vetura dhe fillimisht të dëmtuarit i fyejnë me fjalë të ndryshme ofenduese, e më pas i sulmojnë duke i goditur me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.

Në aktakuzë thuhet se me këtë rast të pandehurit me veprimet e tyre  të dëmtuarve u shkaktojnë lëndime të lehta trupore , të cilët për shkak të natyrës së lëndimeve detyrohen të kërkojnë ndihmë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Viti. /BetimipërDrejtësi