Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve

GJTHPEJE (1)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shkurt 18, 2020

Pejë – Është dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lënda ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Halil Margataj.

Një veprim i tillë është marrë të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi të pandehurit i janë lexuar të drejtat e tij, nga gjyqtari Ahmet Rexhaj, i njëjti ka deklaruar se pasi që e ka pranuar ftesën për seancë, dhe e ka kuptuar veprën penale për çka akuzohet, ai ka thënë se KEDS-it, ia ka paguar dëmin në shumë prej 88.97 euro.

Prandaj, ai i ka propozuar gjykatës që procedurën penale ndaj tij, ta referojë në procedurën e ndërmjetësimit.

Një propozim të tillë, e ka mbështetur edhe prokurorja Sadije Muriqi, e më pas e ka aprovuar edhe gjyqtari Ahmet Rexhaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 dhjetor 2019, Halil Margataj akuzohet se në kohë të pacaktuar e deri më 28 mars 2018, në fshatin Kotradiq të Pejës, në shtëpinë e tij ka ndërhyrë në njehsorin elektrik, me të cilin veprim e ka dëmtuar KEDS-in në shumë prej 88.97 euro.

Për shkak të këtyre veprimeve, ai akuzohet për veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi