Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale

foto 4
Author

Raporton: Egzon HALILI

Gusht 13, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Lam Fetahu.

Dërgimi i lëndës në procedurën alternative është bërë pas propozimit të të akuzuarit Fetahu, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një propozim të tillë, e ka bërë me arsyetimin se ka thënë nuk jeton në Kosovë dhe njëkohësisht i ka prezantuar gjykatëses Medie Bytyqi, dëshminë sipas së cilës, ai ishte pagues i rregullt i energjisë elektrike.

Me këtë propozim të të akuzuarit Fetahu janë pajtuar, prokurori i çështjes Remzush Latifi dhe Fllanza Hashani, përfaqësuesja me autorizim e kompanisë KEDS, si palë e dëmtuar.

Pas kësaj, gjykatësja e çështjes Bytyqi, ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin që çështja të dërgohet në procedurë të ndërmjetësimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 7 korrik 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Lam Fetahut, duke e ngarkuar me veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale” nga neni 320 të KPRK-së.

Ai akuzohet sepse prej datës së pavërtetuar e deri më 26 janar 2015, në shtëpinë e tij në Fushë Kosovë, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme vetit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm e ka shfrytëzuar energjinë elektrike pa autorizim të furnizuesit përkatës, duke manipuluar me numërues dhe shkaktuar gërvishtje të numrave në numërator, me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 492.41 euro. /BetimipërDrejtësi