Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve

3011 (1)
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Janar 27, 2021

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, të mërkurën, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Avdullah Mustafa.

Pas sugjerimit të gjykatëses Drane Simani se kjo çështje mund të zgjidhet me procedurën e ndërmjetësimit, i akuzuari Mustafa ka shprehur pajtimin për të shkuar në ndërmjetësim, pasi siç tha ai, e ka paguar të gjithë borxhin që e ka pasur ndaj të dëmtuarës KEDS, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E kam paguar komplet borxhin, e kam bo, zero zero, për këtë mundë të nxerri dëshmin tek KEDS-i”, deklaroi i akuzuari Mustafa.

Kundërshtime nuk pati as nga ana e prokurores Rozelida Manastiri, pasi që edhe ajo është pajtuar që lënda të zgjidhet përmes procedurës së ndërmjetësimit.

“Obligohet Zyra e Ndërmjetësimit në Gjilan, që në afatin sa më të shkurtër kohor të njoftoj gjykatën dhe t’i dërgoj një kopje të marrëveshjes së palëve nëse arrihet”, përfundoi gjykatësja Simani.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë më 17 shtator 2019, duke e akuzuar të pandehurin Avdullah Mustafa, për veprën penale “vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 14 prill 2019, në kohë të përcaktuar , në shtëpinë e tij, në Viti, te konsumatori Tafë Mustafa, i pandehuri Avdullah Mustafa, si shfrytëzues i energjisë elektrike me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka vjedhur shërbime, në atë mënyrë që punëtorët e autorizuar të KEDS-it, te konsumatori tani i pandehuri i sipërshënuar, ka vërtetuar se i njëjti ka bërë lidhje ka furnizuar me energji elektrike paisje të amvisnisë, në këtë mënyrë i pandehuri me veprimet e veta të kundërligjshmë siguron shërbime për të cilat dihet se e mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit dhe në këtë mënyrë i pandehuri shmang pagesën për shërbime të tilla.

Në aktakuzë thuhet se në këtë mënyrë të dëmtuarës KEDS-it, Distrikti në Gjilan, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 243 euro /BetimipërDrejtësi