Rahovec – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, të martën, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Nisret Hoti.
Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që i akuzuari, në seancën e shqyrtimit fillestar, ka propozuar që kjo lëndë të zgjidhet në procedurë alternative, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Hoti, ka deklaruar se është i gatshëm të paguaj dëmin material me të cilin më ka ngarkuar e dëmtuara KEDS-Distrikti në Gjakovë.
Me propozimin e të akuzuarit është pajtuar prokurori Kastriot Memaj dhe përfaqësuesja e të dëmtuarës KEDS.
Pas marrjes së mendimit të palëve, gjykatësi Ilir Rashkaj e ka referuar lëndën në procedurë të ndërmjetësimit, me ç’ rast e ka obliguar Organin e Ndërmjetësimit në Gjakovë që ta njoftojë gjykatën për epilogun e kësaj çështje.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 25 korrik 2018, ndaj Nisret Hoti, duke e ngarkuar atë me veprën penale “vjedhje e sherbimeve komunale”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më 24 mars 2018 në shtëpinë e tij në fshatin Ratkoc të Rahovecit, në mënyrë të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike.
Në aktakuzë thuhet se për t’i sjell vetit përfitime pasurore të kundërligjshme i njëjti ka bërë lidhjen direkte të dy fazave përmes kabllos jashë njehsorit elektrik, e me këtë veprim energjia e shpenzuar nuk është regjistruar, ku me këtë rast të dëmtuarës KEDS i ka shkaktuar dëm material në vlere prej 398.53 euro. /BetimipërDrejtësi