Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit për vjedhje të rrymës

Gjykata4 (1)
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Qershor 10, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Artan Metolli.

Pasi që është lexuar aktakuza nga prokurori Musa Mehaj, i akuzuari ka propozuar që lënda ndaj tij të referohet në procedurë të ndërmjetësimit.

I akuzuari ka shtuar se ai nuk ka asnjë borxh ndaj KEDS-it, dhe se lidhjen e kabllos e kishte bërë vetëm për testim.

“Unë kam faj që e kom kyç kabllon pa ardh ora, unë veç kom pas me testu se a osht tu punu rryma se e aty nuk ka banu kërkush. Unë nuk kom asnjë borxh ndaj KEDS-it”, tha i akuzuari.

Ky propozim i të akuzuarit, nuk është kundërshtuar as nga prokurori Mehaj, si dhe mori pëlqimin e përfaqësueses së palës së dëmtuar KEDS, Fllanza Hashani, me arsyetim se i akuzuari i ka përmbushur obligimet sa i përket rikthimit të humbjeve.

Andaj, gjykatësi i rastit Adnan Isufi, e ka referua lëndën në procedurë të ndërmjetësimit, duke e obliguar organin e ndërmjetësimit që brenda fatit ligjor ta njoftojë gjykatën për rezultatin e arritur.

Paraprakisht, në seancën e së hënës prokurori Mehaj, e ka bërë rikualifikim e veprës penale, pasi sipas tij, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal, më 14 prill të këtij viti, kjo vepër është më e favorshme për të akuzuarin Metolli.

“Rikualifikimi i veprës penale para leximit të aktakuzës, pasi që me hyrjen në fuqi të kodit penal më 14 prill 2019, kjo  vepër është më favorshme për të akuzuarin ashtu që aty ku osht në dispozitivin e aktakuzës “me këtë ka kryer veprën penale vjedhje e shërbimeve komunale nga neni 320 të KPRK-së, duhet të jetë “me këtë ka kryer veprën penale vjedhje e shërbimeve” nga neni 314 par.6 lidhur me par 1 të KPRK-së së ri”, tha prokurori Mehaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 31 gusht 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Artan Metollit, të cilin e akuzon se më 13 nëntor 2015, punëtorët e autorizuar të KEDS-it, gjatë kontrollit të njehsorit të energjisë elektrike të konsumatorit, kanë gjetur se i akuzuari me qëllim që vetit ti sjell pasuri të kundërligjshme, në atë mënyrë që ka bërë lidhje direkte jashtë njehsorit elektrik përmes një kablloje.

Siç përshkruhet në aktakuzë, energjia elektrike fare nuk është regjistruar, me ç’rast të dëmtuarës KEDS-it i ka shkaktuar dëm në lartësi prej 62.51 euro. /BetimipërDrejtësi