Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit për vjedhje të energjisë elektrike

IMG_9962
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Maj 15, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për lidhje të paautorizuar në shërbime, Selim Agushi.

Një gjë e tillë ka ndodhur pas propozimit të të akuzuarit Agushi, i cili tha se nuk kishte asnjë borxh aktual ndaj të dëmtuarës KEDS dhe se objekti në fjalë ka qenë i lëshuar me qira.

Ky propozim nuk u kundërshtua as nga prokurori Fatmir Behrami, si dhe mori pëlqimin e përfaqësueses së të dëmtuarës KEDS, Fllanza Hashani.

“Japim pëlqimin që kjo çështje penale të referohet në procedurë të ndërmjetësimit me arsyen se i akuzuari i ka kryer të gjitha obligimet ndaj KEDS-it”, tha përfaqësuesja Hashani.

Në rrethana të tilla, gjykatësi Adnan Isufi, ka obliguar organin e ndërmjetësimit që brenda afatit ligjor ta njoftojë gjykatën lidhur me epilogun e kësaj procedure.

Në këtë seancë, prokurori Behrami, ka bërë rikualifikimin e veprës penale, pasi që sipas tij me hyrjen në fuqi të Kodit të Ri Penal më 14 prill të këtij viti, parashihen dënime më të favorshme për të akuzuarin Agushi.

“Pas leximit të aktakuzës bëj rikualifikimin e veprës penale për shkak se nga koha e kryerjes së veprës penale e deri më tani, ka hyrë në fuqi Kodi i ri, i cili është më i favorshëm për palën, për shkak se i njëjti parasheh dënime alternative, dënim me gjobë ose me burg deri në 3 vite. Ndërsa, Kodi i mëparshëm ka paraparë dënime kumulative, dënim me gjobë dhe me burg”, tha prokurori Behrami.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 9 shtator 2016, Selim Agushi akuzohet se prej datës së pavërtetuar e deri më 21 dhjetor 2015, në lokalin e tij “Merkur Games Kajot”, në të cilin ka zhvilluar veprimtarinë komerciale-biznesore, me qëllim që vetit t’i sjell pasuri të kundërligjshme e që rryma e shpenzuar të mos regjistrohet normalisht, pa autorizimin e furnizuesit të autorizuar është lidhur direkt në rrjetin elektrik jashtë pikës matëse.

Prokuroria pretendon se i akuzuari ka furnizuar objektin e tij me energji elektrike, ashtu që e njëjta nuk është regjistruar dhe faturuar përmes njehsorit elektrik, me ç’rast të dëmtuarës KEDS-it, Divizionit të Rrjetit – Distriktit në Prishtinë i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 3.159 euro. /Betimipërdrejtësi