Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit për përleshje me të miturit

20210408_093246
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Prill 8, 2021

Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, të enjten, e ka dërguar në Qendrën e Ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Dibran Kastrati.

Një gjë e tillë është vendosur pas propozimit të akuzuarit Kastrati, pasi sipas tij me të dëmtuarin janë pajtuar dhe më nuk kanë pasur ndonjë problem, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë propozim të të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja Huma Jetishi, duke thënë se si kusht për këtë, duhet të përmbushen kushtet ligjore.

Lidhur me këtë, gjykatësja Valbonë Dërvodeli mori aktvendim me anë të së cilit e aprovoi këtë propozim, që çështja penale ndaj të akuzuarit Kastrati të dërgohet në Qendrën e Ndërmjetësimit në Gjilan.

“Nëse brenda afatit ligjor prej 90 ditësh nuk kemi ndonjë konfirmim për procedurën e ndërmjetësimit, atëherë gjykata do të caktoj shqyrtimin gjyqësor dhe të gjitha palët do të ftohen në mënyrë të rregullt me ftesa gjyqësore”, ka thënë gjykatësja Dërvodeli.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 27 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Dibran Kastratit, me arsyetimin se ai më 11 prill 2019, rreth orës 22:30 në Kamenicë, saktësisht në afërsi të furrës “Gjakova”, në bashkëveprim me të miturin A.K., pas një mosmarrëveshje paraprake verbale që kishin me të miturit E.Z. dhe E.D., në afërsi të kafiterisë “Kashmir”, mes tyre fillon përleshja fizike duke u goditur me grushta, në pjesë të ndryshme të trupit, dhe gjatë kësaj përleshje i dëmtuari i mitur E.Z. pëson lëndime të lehta trupore i cili detyrohet të kërkon ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional të Gjilanit.

Me këtë, Dibran Kastrati akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi